Ministria e Arsimit dhe Sportit

ARSIMI BAZË

Arsimi bazë i detyruar synon të zhvillojë aftësitë intelektuale, krijuese, praktike dhe fizike të nxënësve, të zhvillojë personalitetin e tyre dhe t’i pajisë ata me elementet themelore të kulturës së përgjithshme dhe edukatën qytetare.

Arsimi bazë i detyruar fillon në moshën 6 vjeç dhe zgjat 9 vjet. Nxënësi është i detyruar të ndjekë arsimin bazë deri në moshën 16 vjeç. Arsimi bazë është i njësuar. Institucionet e tij shtrihen në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Shtetasit që mbushin moshën 16 vjeç, por që nuk arrijnë ta përfundojnë arsimin bazë, mund ta përfundojnë atë në shkollat me kohë të shkurtuar.
Arsimi bazë përbëhet nga dy cikle: Cikli fillor, (klasa I-V) dhe Cikli i mesëm i ulët, (klasa VI-IX).
Arsimimi i nxënësve me aftësi të kufizuar bëhet në shkolla speciale, në klasa speciale brenda shkollave normale ose të integruar në klasa normale.

PROGRAMI PËR VLERËSIMIN E ARRITJEVE TË NXËNËSVE TË ARSIMIT FILLOR (VANAF)

NISMA ÇDO FËMIJË NË SHKOLLË !

MANUAL MBI SISTEMIN E PARANDALIMIT TË HERSHËM


ARSIMI MESËM

Arsimi i mesëm nuk është i detyrueshëm.
Arsimi i mesëm në Republikën e Shqipërisë përbëhet nga Gjimnazet (me kohë të plotë dhe të shkurtuar) si dhe nga Shkollat e mesme profesionale.
Gjimnazet me kohë të plotë. Gjimnazet publike japin një kulturë të përgjithshme që është zgjerim i njohurive e thellim i kulturës dhe njohurive të fituara në shkollat e arsimit bazë. Kohëzgjatja e gjimnazit është 3 vjet dhe përfundon me provimet e Maturës Shtetërore.
Struktura e re e gjimnazit dhe plani i ri mësimor u zbatuan për herë të parë në vitin shkollor 2009 -2010.
Në planin mësimor janë përfshirë nëntë fusha si: Artet, Edukimi fizik dhe sportet,Gjuha e huaj (ose gjuhët e huaj), Gjuha shqipe dhe letërsia, Karriera dhe aftësimi për jetën, Matematika, Teknologjia & TIK, Shkencat natyrore dhe Shkencat shoqërore.
Kurrikula e gjimnazit është e përbërë nga kurrikula bërthamë dhe kurrikula me zgjedhje. Gjimnazet me kohë të shkurtuar, shërbejnë edhe për arsimimin e të rriturve.
Kohëzgjatja e studimeve në gjimnazet me kohë të shkurtuar, është 4 vjet dhe ato përfundojnë me dhënien e provimeve të Maturës Shtetërore (MSH). Plani mësimor dhe programet kurrikulare, miratohen nga Ministri i Arsimit dhe Sportit.