Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Anëtarësimi i vendit tonë në NATO, 13 vjet më parë, më 1 prill 2009, është pa dyshim një ndër ngjarjet më të rëndësishme jo vetëm për vendin tonë, por për të gjithë kombin shqiptar. Aktualisht Shqipëria e sheh sigurinë e saj pazgjidhshmërisht të lidhur me sigurinë e territorit që mbulojnë prerogativat e Traktatit të Atlantikut të Veriut.

Nisur nga roli themelor i NATO-s në sigurinë e përbashkët të territorit aleat, Shqipëria mbështet aktivisht unitetin e Aleancës dhe rëndësinë thelbësore të lidhjes Transatlantike, në mënyrë që NATO të mbetet kolonë stabiliteti për gjeneratat e ardhshme. Ndërsa përballemi me një gamë më të gjerë kërcënimesh, mjaft më komplekse e më të ndërlikuara sesa në të kaluarën, Aleanca Atlantike vazhdon të përbëjë gurin e themelit të sigurisë së përbashkët të vendeve të saj anëtare. Kështu, agresioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë, i cili përbën dhe krizën më të madhe të sigurisë në Evropë që prej dekadash, po shoqërohen me sulme të natyrës hibride dhe kibernetike, si edhe me një propagandë të intensifikuar kundër vlerave thelbësore të Aleancës Atlantike. Atyre i shtohen kërcënimet e shtuara të terrorizmit si dhe paqëndrueshmëria në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, e cila ushqen fluksin e emigracionit në shkallë të gjerë drejt Evropës dhe gjithashtu frymëzon më tej aktivitetet terroriste dhe ekstremizmin e dhunshëm.

Në takimet e shtuara të nivelit të lartë politik në NATO, që prej datës 24 shkurt të këtij viti, Shqipëria, krahas vendeve të tjera të NATO-s, ka dënuar ashpër sulmin e paprovokuar të Rusisë ndaj Ukrainës, duke e cilësuar atë si një shkelje të rëndë të së Drejtës Ndërkombëtare dhe si një kërcënim tepër serioz për sigurinë euroatlantike. Gjithashtu, Shqipëria është pjesë e vullnetit të palëkundur të NATO-s për të bërë gjithçka që duhet për të siguruar dhe mbrojtur të gjithë vendet aleate. Në kuadrin e përpjekjeve të Aleancës për mbrojtjen dhe sigurimin e territorit të Aleancës Atlantike, Shqipëria është dhe do vazhdojë të jetë plotësisht e angazhuar për të dhënë kontributin e saj në suazën e NATO-s. Kështu, në dimensionin thelbësor aleat të Mbrojtjes dhe Shkurajimit, Shqipëria kontribuon ushtarakisht në përforcimin më të madh të mbrojtjes kolektive që nga Lufta e Ftohtë, nëpërmjet vënies në jetë të Pranisë së Përparuar të NATO-s në Lindje –EfP (Enhanced Forward Presence).

Aktualisht, ushtarakët shqiptarë janë pjesë e mijëra trupave të vendeve të NATO-s, të cilët shërbejnë në operacionet dhe misionet e Aleancës  në vendet baltike, Poloni, Rumani, Bullgari dhe në Kosovë.  Po ashtu, Shqipëria  kontribuon në rritjen e gatishmërisë së forcave aleate, modernizimin e strukturës së komandës ushtarake. Paralelisht, Shqipëria, bazuar në pozicionin e saj gjeografik dhe si anëtare fillestare e Koalicionit Global kundër të vetëquajturit “Shtet Islamik”, ajo mbështet aktivisht rolin e intensifikuar të NATO-s në luftën kundër terrorizmit si dhe projektimin e stabilitetit në dhe përreth zonës euroatlantike.

Në suazën e detyrimeve që rrjedhin nga vendimmarrja kolektive në NATO dhe që  synojnë përballimin e sfidave të sigurisë, Shqipëria i ka dhënë përparësi rritjes së buxhetit të Mbrojtjes duke mbështetur domosdoshmërinë dhe ndarjen më të drejtë të barrës financiare midis aleatëve, në funksion të misionit kryesor të NATO-s që mbetet mbrojta kolektive e popullatës dhe territorit të Aleancës Atlantike. Rritja e investimeve në mbrojtje i shërben gjithashtu aftësive të reja të forcave aleate, përmirësimit të mëtejshëm të gatishmërisë, si dhe rritjes së kontributeve në misionet dhe operacionet e NATO-s.

Në sfidat e rëndësishme për sigurinë aleate hyn edhe përhapja e një narrative të rremë e sponsorizuar aktivisht nëpërmjet taktikave hibride nga fuqi antagoniste të Aleancës. Kjo narrativë synon të dëmtojë kohezionin e NATO-s duke mbrojtur tezat se Aleanca Atlantike është tashmë një anakronizëm i vjetruar. Kjo narrativë shtron domosdoshmërinë e shtimit të përpjekjeve energjike për ta kundërshtuar atë në lëmin e diplomacisë publike, si nga vendet aleate, ashtu dhe nga vetë NATO, duke i paraqitur opinionit publik fakte të pamohueshme mbi vlerat dhe arritjet e Aleancës në këto 73 vite dhe duke argumentuar konkretisht se NATO nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme se sot për stabilitetin dhe sigurinë e territorit aleat.

Shqipëria e ka plotësisht të qartë se gama e re e kërcënimeve nuk mund të përballohet vetëm me mjete ushtarake, prandaj në cilësinë e saj të dyfishtë, si vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat në BE, favorizon intensifikimin e  bashkëpunimit të ngushtë NATO-BE për përballimin  e tyre. Një shembull i qartë është edhe pjesëmarrja e Shqipërisë që prej vitit 2016 në operacionin e NATO-s në Detin Egje, në mbështetje të përpjekjeve të BE-së kundër emigracionit të paligjshëm. Për Shqipërinë bashkëpunimi aktiv NATO-BE në lëmin e sigurisë ka një rëndësi të madhe në lidhje me sigurinë e Evropës dhe më gjerë. BE-ja është një partner strategjik dhe thelbësor për NATO-n. Të dy organizatat ndajnë shumicën e anëtarëve të tyre dhe kanë vlera, interesa strategjike dhe sfida të përbashkëta. Përballimi i tyre e çojnë natyrshëm NATO-n dhe BE-në të bashkëpunojnë më ngushtë se kurrë më parë në 74 fusha, përfshirë përballimin e kërcënimeve hibride. Veçanërisht i rëndësishëm për Shqipërinë është bashkëpunimi midis NATO-s dhe BE-së lidhur me sigurinë në rajonin tonë ku ky bashkëpunim materializohet në pjesë të ndryshme të tij, si në Kosovë dhe në Bosnje dhe Hercegovinë.

Sa i përket rajonit tonë, i cilësuar me rendësi strategjike nga NATO në Samitet e viteve të fundit, Shqipëria vijon të mbetet një mbështetëse e fortë e politikës së zgjerimit te Aleancës. Anëtarësimi, vitet e fundit, i fqinjëve tanë në NATO është një evidencë e qartë e jetësimit të kësaj politike, që i shërben forcimit të paqes, sigurisë e stabilitetit të rajonit, si dhe pengimit të influencave negative aktorëve të tretë. Po ashtu, ajo ka mbështetur energjikisht në NATO intensifikimin e marrëdhënieve institucionale të Kosovës me Aleancën Atlantike.