Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Shqipëria në Këshillin e Sigurimit të OKB

Më  1 janar 2022 Shqipëria filloi mandatin e saj si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të cilin do ta ushtrojë për një periudhë dyvjeçare, deri më 31 dhjetor 2023.

Këshilli i Sigurimit është një ndër organet qendrore të OKB dhe organi kryesor i vendimmarrjes botërore për trajtimin e çështjeve që lidhen me paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Karta e OKB autorizon Këshillin e Sigurimit që të vendosë masat shtrënguese ndaj shteteve që shkelin normat e parimet ndërkombëtare të paqes dhe sigurisë, masa që shkojnë nga vendosja e sanksioneve, deri tek autorizimi i ndërhyrjeve me forcë ndaj tyre. Nga pikëpamja e të drejtës ndërkombëtare vendimet e Këshillit të Sigurimit janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjitha shtetet dhe nuk kërkojnë pëlqimin paraprak të palëve në konflikt.

Këshilli i Sigurimit përbëhet nga pesë anëtarë të përhershëm (Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar dhe dhjetë anëtarë jo të përhershëm, të zgjedhur për mandate dy vjeçare, nga rajone të ndryshme të botës.

Kjo është hera e parë që Shqipëria shërben në Këshillin e Sigurimit, që nga anëtarësimi i saj në OKB në vitin 1955, çka përbën një eveniment me rëndësi historike për vendin.

 

Prioritetet e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit

Si anëtare e zgjedhur e Këshillit të Sigurimit për periudhën 2022 – 2023, Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar dhe me pjesëmarrjen e saj aktive ka dëshmuar qartë se i përket një kampi vlerash dhe aleancash politiko-strategjike të konsoliduara prej vitesh, si një vend që ka bërë dhe vazhdon të japë një kontribut të qenësishëm për paqen dhe stabilitetin global, duke pasur gjithmonë si prioritet rajonin, kontinentin dhe më gjerë. Ky pozicionim i yni formon një pjesë të mirë të punës në Këshill, si për mandatin dyvjeçar ashtu edhe më gjerë, duke ndërthurur qëndrimet tona parimore për zgjidhjen e konflikteve në respekt të plotë të një rendi botëror të bazuar në rregulla, të drejtën ndërkombëtare, të drejtat e njeriut. dhe Karta e OKB-së.

Gjatë mandatit tonë ne jemi të vendosur të ruajmë qëndrimet parimore të vendit tonë, si mbrojtja dhe zbatimi i plotë i të drejtave të njeriut, promovimi i barazisë gjinore dhe avancimi i agjendës së grave, paqes dhe sigurisë. Prioritetet tona padyshim përfshijnë forcimin e demokracisë dhe institucioneve demokratike si elemente themelore për paqen dhe sigurinë në botë, parandalimin dhe zgjidhjen paqësore të konflikteve, si dhe forcimin e instrumenteve që mundësojnë vazhdimin e paqes në vendet dhe rajonet ku ka pasur konflikt. Shqipëria do të vazhdojë të mbajë të gjallë diskutimin dhe të thellojë angazhimin në çështjet që lidhen me ndryshimet klimatike dhe sigurinë, parandalimin e radikalizimit që çon në terrorizëm dhe promovimin e dialogut ndërfetar.

Duke qenë se korrikun e vitit 2022 Shqipëria ishte objektivi i një sulmi kibernetik të paprovokuar dhe të sponsorizuar nga shteti, ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për rëndësinë që paraqet siguria kibernetike për komunitetin global. Më 25 maj 2023 Shqipëria, së bashku me SHBA-në dhe Estoninë bashkëorganizoi një takim të formulës Arria në Këshillin e Sigurimit, të kryesuar nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, kushtuar përgjegjësisë dhe reagimit të shteteve ndaj sulmeve kibernetike.

Gjithashtu, Shqipëria është angazhuar që në fillim të mandatit të japë një kontribut të rëndësishëm në përmirësimin e metodave të punës së vetë Këshillit të Sigurimit, duke marrë presidencën e një prej organeve mbështetëse siç është grupi informal i punës për dokumentacionin dhe çështje të tjera procedurale. të Këshillit të Sigurimit (IWG).

Në dosjen e Ukrainës, Shqipëria është bashkëpenëmbajtëse së bashku me SHBA-në. Që nga fillimi i vitit 2022 Shqipëria ka luajtur një rol mjaft aktiv, si në Këshillin e Sigurimit, por edhe në Asamblenë e Përgjithshme, duke e mbajtur këtë çështje dominuese në axhendën e Këshillit të Sigurimit. Një rol i tillë është njohur gjerësisht dhe është vlerësuar nga Ukraina dhe vendet partnere.

Në të njëjtën kohë, Shqipëria ka qenë aktive dhe i ka kushtuar vëmendje të veçantë  çështjeve të agjendës së KS të OKB-së për Ballkanin Perëndimor, si Kosova dhe Bosnja e Hercegovina.

Përtej rajonit tonë, Shqipëria ka pasur një angazhim të qenësishëm në dosje të tjera rajonale si Lindja e Mesme, Siria, Jemeni, Libia, Libani, Afganistani, Irani, Koreja e Veriut, Mianmari dhe Haiti. Në vitin 2023 Shqipëria do të jetë bashkëpenëmbajtëse me SHBA-në për çështjet humanitare për DPRK-në. Gjithashtu, ne po bëjmë pjesën tonë në lidhje me rinovimin e mandateve, regjimit të sanksioneve për vendet afrikane.

 

Mbi aktivitetin e vendit tonë në Këshillin e Sigurimit gjatë vitit 2022

Në vitin e parë në Këshill, Shqipëria ka qenë pjesë e negociatave dhe vendimmarrjes së Këshillit duke miratuar 54 rezoluta, 7 deklarata presidenciale dhe 56 deklarata për shtyp, mbi çështje që prekin paqen dhe sigurinë botërore.

 

Presidenca shqiptare e Këshillit në qershor 2022

Kryesimi i Këshillit nga ana e Shqipërisë në qershor 2022, ka qenë një nga presidencat më të ngarkuara të vitit ku Shqipëria, përveç drejtimit me sukses të Këshillit në të gjitha çështjet në kalendar, arriti të përmbushë edhe një agjendë të sajën duke organizuar katër aktivitete shënjuese, çka është numri maksimal i aktiviteteve të tilla që mund të organizojë një Presidencë. Nën drejtimin e Shqipërisë u zhvilluan 46 takime formale dhe jo formale të Këshillit, u morën 8 vendime dhe u dhanë 8 deklarata të përbashkëta për shtyp. Shqipëria arriti edhe një rekord të ri në përfaqësimin e shoqërisë civile por edhe të agjendës së barazisë gjinore, me 19 përfaqësues të shoqërisë civile ku 15 syresh ishin gra. Si presidente e Këshillit të Sigurimit, Shqipëria vendosi në qendër të vëmendjes së Këshillit çështje me rëndësi globale si llogaridhënia për shkeljen e ligjit ndërkombëtar dhe atij humanitar në situata konflikti të armatosur, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe forcimin e agjendës gruaja, paqja dhe siguria si dhe përmirësimin e funksionimit të metodave të punës të Këshillit të Sigurimit duke organizuar disa aktivitete shënjuese. Tre prej këtyre takimeve u kryesuan nga Kryeministri Rama dhe Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Xhaçka.

Vlen të theksohet organizimi i Debatit të Hapur të Nivelit të Lartë mbi rolin e Organizatave Rajonale në avancimin e agjendës GPS, temë e cila sillej për herë të parë në Këshill. Një tjetër moment suksesi gjatë Presidencës tonë ishte dhe organizmi i një takimi informues mbi situatën e grave dhe vajzave në Ukrainë, ku mori pjesë edhe Presidenti i KE, Charles Michel.

Gjithashtu, gjatë këtij muaji, Shqipëria prezantoi dy deklarata të përbashkëta në emër të iniciativës së Angazhimeve të Përbashkëta (Shared Commitments), më konkretisht mbi situatën e grave dhe vajzave në Afganistan dhe Jemen.

Një tjetër moment që e veçon Presidencën shqiptare të KS është edhe numri i lartë i përfaqësueseve gra të shoqërisë civile për të informuar Këshillin. Shqipëria vendosi një rekord absolut duke ftuar 15 raportuese gra për të informuar Këshillin mbi tematika të ndryshme, duke përmbushur kështu një prej angazhimeve kryesore të iniciativës Shared Commitments. Për këtë Shqipëria mori vlerësime jo vetëm nga vendet partnere, por edhe nga shoqëria civile, e cila e sjell si shembull Presidencën shqiptare për vendet e tjera.

 

Aktiviteti gjatë gjashtëmujorit të parë 2023

Gjatë këtij viti, në takimet formale dhe jo formale të Këshillit të Sigurimit, Shqipëria ka vazhduar të shprehë qëndrimin e saj në takimet formale dhe konsultime të Këshillit mbi çështje të paqes dhe sigurisë, të zhvillimit, të drejtave të njeriut, të mbrojtjes së ligjit ndërkombëtar dhe llogaridhënies, të drejtave të grave, të përfshirjes së të rinjve në vendimmarrje, multilateralizmit, ndryshimeve klimatike, paqeruajtjes dhe paqendërtimit në zonat në konflikt në takimet formale dhe jo formale të Këshillit të Sigurimit. Në këtë kuadër ka mbrojtur interesat kombëtare si dhe mbi 30 herë ka dhënë dhe i është bashkuar konferencave për shtyp me vendet e tjera me qëndrime të ngjashme ndërkohë që bashkë me Këshillin ka miratuar 49 deklarata publike.

Shënim: Për më shumë hollësi mbi qëndrimet e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, mund të konsultohet faqja e Misionit të Shqipërisë në OKB  https://ambasadat.gov.al/united-nations/

https://punetejashtme.gov.al/shqiperia-ne-ks-2022-2023/