Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

 

SHQIPËRIA DHE NISMAT RAJONALE

 

Mbështetur në prioritetet e politikës së saj të jashtme, Shqipëria i kushton një vëmendje të veçantë bashkëpunimit rajonal në gjithë tërësinë e tij. Shqipëria e konsideron bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë si shtylla të rëndësishme që garantojnë paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe si parakushte për proceset integruese evropiane dhe euro-atlantike në rajon.

Shqipëria është një pjesëmarrëse aktive në procesin e bashkëpunimit rajonal dhe në të gjitha nismat rajonale si PBEJL (SEECP) – Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore; KBR (RCC) – Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal; NEQ (CEI) – Nisma e Evropërs Qëndrore; NAJ (AII) – Nisma Adriatiko Joniane; BEDZ (BSEC) – Bashkëpunimi Ekonomik i Detit të Zi; NRMAR (MARRI) – Nisma Rajonale për Migrimin, Azilin dhe Refugjatët; etj.

Shtrirja e këtij bashkëpunimi synon rritjen dhe intensifikimin e bashkëpunimit midis vendeve të rajonit, duke përfshirë dialogun politik, zgjerimin e shkëmbimit të mallrave dhe shërbimeve, krijimin e një rrjeti rajonal të energjisë, transportin dhe telekomunikacionin, lehtësimin e qarkullimit të njerëzve, kulturave, etj.,forcimin e lidhjeve arsimore, shkencore e kulturore, luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, terrorizmit, etj.

Shqipëria ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol të moderuar dhe konstruktiv në të gjitha nismat rajonale, duke vënë një theks të veçantë në parimin e gjithë përfshirjes. Bazuar në këtë parim themelor të pjesëmarrjes aktive dhe të kontributit të të gjithë vendeve të rajonit në procesin e bashkëpunimit rajonal, Republika e Shqipërisë ka mbështetur e do të mbështesë përfshirjen dhe pjesëmarrjen e Kosovës në të gjitha aktivitetet shumëpalëshe rajonale.

Në këtë kuadër, vlerësohet si një arritje e rëndësishme vendimi i shkurtit 2013 i Bordit të RCC-së, për miratimin e listës së anëtarëve të organizatës, që në ndryshim nga lista paraardhëse, e vendos  përfaqësimin e Kosovës në RCC (Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal), jo më nën siglën e UNMIK, por atë të Kosovës (me asterix), duke e prezantuar atë si anëtare me të drejta te plota në këtë organizëm rajonal.

E angazhuar tërësisht në procesin e bashkëpunimit rajonal, Shqipëria morri në qershor 2013 kryesimin njëvjeçar të radhës të Nismës Adriatiko – Joniane, e cila përkon me një moment shumë të rëndësishëm, me atë të finalizimit të procesit të diskutimit dhe miratimit në vitin 2014 të Strategjisë së Bashkimit Evropian për Makro Rajonin Adriatiko-Jonian.

Shqipëria është bërë së fundmi pjesëtare e Trojkës së SEECP dhe pritet të marrë kryesimin e radhës së SEECP në periudhën qershor 2014 – qershor 2015.

Afrimi drejt standardeve evropiane nëpërmjet procesit të integrimit evropian, ka dëshmuar të ketë një impakt pozitiv në marrëdhëniet midis vendeve të rajonit duke ndikuar kështu në krijimin e një klime më të mirë dhe në drejtim të stabilitetit në rajon.

Shqipëria ka synuar të jetë aktive në të gjithë bashkëpunimet rajonale dhe të kontribuojë me qëndrimet të saj parimore, konstruktive dhe të balancuara në trajtimin e çështjeve sensitive në rajon. Shqipëria ka marrë vlerësime pozitive në Raportet e Progresit të BE-së të viteve të fundit lidhur me angazhimin e saj në procesin e bashkëpunimit rajonal.

 

Kryesimet e Shqipërisë në nismat rajonale

 

Pjesëmarrja aktive e Shqipërisë në procesin e bashkëpunimit rajonal gjen shprehjen e vet edhe nëpërmjet kryesimeve të radhës në nismat dhe mekanizmat rajonalë të ushtrua nga Shqipëria. Konkretisht, Shqipëria ka ushtruar kryesimin e radhës së SEECP në vitin 2001; kryesimin e radhës së NEQ/NAJ në Maj 2005 – Maj 2006; kryesimin e radhës së BSEC në vitin 2002 dhe 2008; kryesimin e radhës së MARRI-it për periudhën prill 2010 – prill 2011; ka kryesuar PABSEC /Asambleja Parlamentare e Detit të Zi në vitin 2011; ka kryesuar  BSTDB/Banka e Detit të Zi për Tregti e Zhvillim  në vitin 2011; ka kryesuar ReSPA, ose Shkolla Rajonale për Administratën Publike, në shtator 2010-shtator 2011; është duke ushtruar kryesimin e radhës të NAJ [për periudhën qershor 2013-qershor 2014, etj.