Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

“Ballkani i Hapur”

Kjo nismë duhet parë si një lëvizje e parë e suksesshme për pronësinë tonë rajonale dhe ndihmon në integrimin e vendeve tona në BE, forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe gjenerimin e rritjes ekonomike.

Ballkani i Hapur gjithashtu plotëson bashkëpunimin rajonal në kuadrin e nismave të ndryshme rajonale, si Tregu i Përbashkët Rajonal, Axhenda Dixhitale, Lidhshmëria, Axhenda e Gjelbër e Ballkanit Perëndimor, Korridoret e Gjelbërta dhe Procesi më i gjerë i Berlinit. Kjo nismë është në funksion të bashkëpunimit rajonal dhe plotëson përpjekjet e vendeve të rajonit drejt integrimit në BE.

Ballkani i Hapur është një mekanizëm për të ndihmuar përshpejtimin e procesit të Berlinit dhe duhet parë dhe konceptuar si një njësi zbatuese e Procesit të Berlinit. Thelbi i kësaj nisme është se si të zgjerojmë ekonomitë dhe të integrojmë tregjet tona në mënyrë që të rrisim fluksin e investimeve të huaja.

 

Marrëveshjet e Ballkanit të Hapur që kanë hyrë në fuqi

1. Marrëveshje ndryshuese e Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë mbi lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve, nënshkruar më 9.11.2020, hyrë në fuqi më 20.01.2021.

2. Memorandum për bashkëpunim ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Serbisë gjatë pandemisë globale të koronavirusit COVID-19, nënshkruar dhe hyrë në fuqi më 9.11.2020.

3. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, nënshkruar më 10.06.2021, hyrë në fuqi më 1.02.2022.

4. Memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin për lehtësimin e importeve, eksporteve dhe lëvizjes së mallrave në Ballkanin Perëndimor, nënshkruar më 29.07.2021.

5. Memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin lidhur me aksesin e lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor, nënshkruar dhe hyrë në fuqi më 29.07.2021.

6. Marrëveshje mbi bashkëpunimin për mbrojtjen ndaj katastrofave në Ballkanin Perëndimor, nënshkruar më 29.07.2021.

7. Marrëveshje mbi kushtet për akses të lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor, nënshkruar më 21.12.2021, hyrë në fuqi më 11.03.2022.

8. Marrëveshje mbi ndërlidhjen e skemave për identifikimin elektronik të shtetasve të Ballkanit Perëndimor, nënshkruar më 21.12.2021, hyrë në fuqi më 11.03.2022.

9. Marrëveshje për bashkëpunim në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore dhe ushqimit për kafshë dhe fitosanitare në Ballkanin Perëndimor, nënshkruar më 21.12.2021.

10. Marrëveshje për bashkëpunim në fushën e akreditimit në Ballkanin Perëndimor, nënshkruar dhe hyrë në fuqi më 21.12.2021.

11. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për njohjen reciproke të Operatorëve Ekonomik të Autorizuar – Autorizimet për Sigurinë dhe Mbrojtjen (OEAS), nënshkruar më 21.12.2021.

12. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë për njohjen reciproke të Operatorëve Ekonomik të Autorizuar-Autorizimet për Sigurinë dhe Mbrojtjen (OEAS), nënshkruar më 21.12.2021, hyrë në fuqi më 7.05.2022.