Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Më 10-11 maj, në Strugë, RFOM/OSBE, zhvilloi konferencën e nivelit të lartë për lirinë e mediave në Evropën Juglindore. Të ftuar ishin zyrtarë të lartë të Ministrive të Punëve të Jashtme të vendeve të rajonit. Delegacioni i Shqipërisë kryesohej nga Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, znj. Artemis Dralo. Kjo konferencë u ndoq edhe nga zyrtarë shtetërorë në fushën e medias, gazetarë e personalitete të tjerë të fushës së komunikimit, përfaqësues të shoqërisë civile, etj.

Në konferencë u diskutuan çështje që kanë të bëjnë me lirinë e shprehjes dhe vlerat themelore të medias në një shoqëri demokratike si dhe në shkëmbimin e eksperiencës dhe praktikave më të mira për ushtrimin e kësaj lirie, mbrojtjen e gazetarëve dhe forcimin e etikën profesionale në media.

Panelistët e kësaj konference ofruan një pasqyrë të monitorimit dhe zhvillimit të medias në rajon si dhe bën me dije se si OSBE ofron kontributin e saj për forcimin e pavarësisë dhe lirisë së medias në vendet anëtare të organizatës.

Zëvendësministrja Dralo, në fjalën e saj vlerësoi bashkëpunimin e vendeve të rajonit me OSBE dhe Zyrën e Përfaqësuesit për Lirinë e Medias pranë kësaj organizate për kontributin që ata japin në ruajtjen dhe forcimin e lirisë së mendimit dhe rolit të medias së pavarur në një shoqëri demokratike. Ajo vuri në dukje angazhimin gjithëpërfshirës të Qeverisë Shqiptare në përmirësimin e kuadrit ligjor dhe si një vend që garanton lirinë e shprehjes, si dhe punën që bëhet për arritjen e standardeve më të larta.

Referuar vlerësimit të Komisionit Evropian në raportin e prillit të këtij viti mbi lirinë e medias, ku Shqipëria veçohej për hapat përpara që ka bërë, Zëvendësministrja vlerësoi se ka ende për të bërë në këtë drejtim si nga politika, ashtu dhe nga biznesi i përfshirë në fushën e medias, por edhe nga vetë gazetarët, për nivele dhe standarte më të larta të gazetarisë  në vend, në shërbim të thellimit të proceseve demokratizuese. Duke përfunduar fjalën e saj ajo tha se Shqipëria mbështet fuqimisht politikat e Përfaqësuesit për Lirinë e Medias në OSBE,  lirinë e shprehjes, pluralizimin në media dhe epokën dixhitale, për sigurinë e gazetarëve dhe luftën kundër pandëshkueshmërisë si dhe luftën kundër ekstremizimit të dhunshëm që çon në radikalizëm.

Më tej konferenca i zhvilloi punimet në disa panele ku trajtoi disa cështje të ndjeshme në fushën e gazetarisë, në funksion të forcimit të lirisë se medias, ku të pranishëm ishin edhe referues, specialistë të njohur të fushës se medias si dhe gazetarë nga Shqipëria.