Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Zv.Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Artemis Malo, mori pjesë në Konferencën e Nivelit të Lartë mbi të Drejtat e Njeriut, Shoqërinë Civile dhe luftën kundër Terrorizmit, që u zhvillua në Malaga të Spanjës.

Në ndërhyrjen e saj, Zv.Ministrja Malo evidentoi rolin, angazhimin dhe kontributin pro aktiv që Shqipëria synon të japë, për paqen dhe sigurinë, dhe rolit prioritar që vendi ynë i ka dhënë luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar, duke e vendosur atë edhe në fushat prioritare të angazhimit tonë si Anëtar jo i Përhershëm i KS OKB.

Gjithashtu, duke u fokusuar në tematikën “Për një të ardhme pa terrorizëm”, më tej, ajo vuri theksin në masat për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut në trajtimin e viktimave të terrorizmit, rolin e shtetit ligjor dhe shoqërisë civile në luftën këtë kuadër.

E përbashkëta e diskutimeve, e pasqyruar edhe në dokumentet finale të kësaj Konference, ishte kontributi i përbashkët, promovimi dhe krijimi i rrugëve të reja të bashkëpunimit dhe nxitja e Vendeve Anëtare të OKB-së në rrugën e ndërtimit të paqes dhe sigurisë, përmes bashkëveprimit, në respektim të të drejtave të njeriut, në fushën e sigurisë dhe luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar.