Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Në datën 31 janar 2022, Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Megi Fino zhvilloi një takim me Sekretarin e Shtetit për Politikat e Sigurisë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë Péter Sztáray. Znj. Fino vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm, konkret e të gjithanshëm mes dy vendeve tona. Biseda u fokusua në tematikën e integrimit evropian.

Zëvendësministrja Fino shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhe konkrete të Hungarisë për procesin e integrimit evropian të vendit tonë, në veçanti sa i takon hapjes së negociatave dhe mbajtjes sa më të shpejtë të Konferencës së Parë Ndërqeveritare, bazuar në procesin e meritave.

Z. Sztáray siguroi se integrimi i shpejtë i Shqipërisë dhe i rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE është në interes të Hungarisë dhe të vetë Unionit. Ky duhet të jetë një vendim strategjik, sidomos në këto kohë të vështira, kur siguria evropiane është nën presionin e mjaft sfidave rajonale e globale.

Bashkëbiseduesit u ndalën më pas në ecurinë mjaft pozitive të bashkëpunimit në kuadër të organizatave ndërkombëtare. U vlerësua roli gjithnjë e më aktiv i Shqipërisë në këto organizma dhe në veçanti angazhimi i Shqipërisë si vend anëtar jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB.

Më tej u vijua me pjesëmarrjen në Konferencën e organizuar nga Ambasada hungareze në Tiranë, me rastin e 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona, i cili kremtohet gjatë këtij viti. Në fjalën e saj, Zv.Ministrja Fino vlerësoi lidhjet historike që bashkojnë popujt tanë, partneritetin e hershëm strategjik, instensifikimin në rritje të marrëdhënieve politike, kulturore dhe ekonomike, në interes të përbashkët.

Përurimi i shtatores së Mbretëreshës Geraldinë, gjatë kësaj vizite të Sekretarit hungarez të Shtetit është një tjetër tregues i trendit pozitiv historik në marrëdhëniet tona dypalëshe.