Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, Megi Fino, priti në takim Ministren gjermane të Shtetit për Evropën dhe Klimën në Ministrinë e Jashtme federale, Anna Lührmann, e cila po zhvillon një vizitë dy-ditore në Shqipëri.
Zv.Ministrja Fino shprehu falënderime të veçanta për vizionin e qeverisë së re gjermane, e cila ka konfirmuar sovranitetin e Evropës në themel të politikës së jashtme të vendit, duke mbështetur hapjen e negociatave për kapitujt e parë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Sipas saj, fillimi i këtij dialogu do të shënonte një nivel të ri të angazhimit tonë, cilësisht nxitës për konsolidimin e arritjeve, bazuar në një pritshmëri legjitime në kuadër të parimit të meritës dhe plotësimit të kushteve të kërkuara.
Nga ana tjetër, Ministrja Lührmann konfirmoi se kabineti i ri qeveritar gjerman vazhdon të jetë po aq i angazhuar sa edhe kabineti paraardhës rreth kësaj çështjeje.
Zëvendësministrja Fino vlerësoi angazhimin e Gjermanisë, veçanërisht përmes Procesit të Berlinit, në mbështetje të përpjekjeve të vendeve të rajonit për t’u integruar në BE.
Kjo është vizita e parë e një zyrtari të lartë të kabinetit të ri qeveritar gjerman në vendin tonë.