Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Zëvendësministrja e MEPJ-së, znj. Megi Fino, priti në një takim Kryetarin e Qendrës Ndërkombëtare të Përsosmërisë për Luftës kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (Hedayah), z Ali Rasheed Al Nuaimi, njëkohësisht Anëtar i Këshillit Kombëtar Federativ të Emirateve të Bashkuara Arabe, në kuadër të vizitës zyrtare që ai po zhvillon në vendin tonë.

Bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet miqësore midis vendeve tona dhe shprehën vullnetin për t’i çuar më tej ato, duke e vënë theksin tek hapsirat e mëdha që ekzistojnë për zgjerimin e bashkëpunimit, si në aspektin dy palësh, ashtu dhe në dimensione të tjera, si lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit në të gjitha format e tij. Të dyja vendet e shohin terrorizmin si një kërcënim të madh global dhe, në këtë kuadër, u nënvizua nevoja për një koordinim edhe më të mire midis partnerëve.

Kryetari i Hedayah, z. Al Nuaimi vlerësoi rolin e Shqipërisë në rajonin e Ballkanit dhe rëndësinë e faktorit shqiptar për paqen dhe sigurinë e kësaj hapësire.