Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Zv. Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino, priti sot në MEPJ delegacionin e ODIHR të kryesuar nga ambasadorja Urszula Gacek, që monitoroi zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit në Shqipëri.

Ambasadorja Gacek vlerësoi zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme në Shqipëri dhe u shpreh se ODIHR është gati të bashkëpunojë me institucionet shqiptare në vend si dhe me aktorë të tjerë, për standarde më të larta zgjedhore, në përmbushje të rekomandimeve të tyre, paraqitur në raportin përfundimtar mbi këto zgjedhje.

Zv.Ministrja Fino falënderoi Misionin e Limituar të Vëzhguesve të OSBE/ODIHR për praninë e tyre në Shqipëri për ndjekjen, monitorimin dhe raportimin për zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit 2021, ardhur me ftesë të Qeverisë shqiptare.

Fino vuri në dukje në takim se zgjedhjet e 25 prillit ishin të lira dhe të ndershme dhe konsiderohen si më të mirat të periudhës mbas tranzicionit.

Më tej, zv. Ministrja Fino u ndal tek përparësitë e reformës së fundit zgjedhore në vendin tonë, me ndryshimet Kushtetuese si dhe të Kodit Zgjedhor, të cilat ndikuan në ngritjen e standardit të tyre dhe në aplikimin e teknologjive të reja për të pasur zgjedhje të drejta, barabarta dhe transparente.

Delegacioni i ODIHR ndodhet në vendin tonë në kuadër të bashkëpunimit Shqipëri-OSBE/ODIHR në zbatim të rekomandimeve të tyre mbi zgjedhjet e 25 prillit.