Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Më 16 dhjetor 2020, u mbajt nëpërmjet një video konference takimi i Komisionit të Partneritetit të Kartës SHBA-Adriatike (A-5) në nivel Ministrash të Punëve të Jashtme. Ky takim u kryesua nga Bosnje-Hercegovina, vend që gjatë këtij viti ka mbajtur kryesinë e kësaj nisme. Në takim morën pjesë vendet anëtare dhe vëzhguese të Kartës SHBA-Adriatike, si Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, SHBA-të, Kosova, Serbia dhe Sllovenia.

Vendi ynë u përfaqësua në këtë aktivitet të rëndësishëm nga Zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Sokol Dedja.

Takimi u fokusua në forcimin e bashkëpunimit rajonal mes vendeve anëtare dhe vëzhguese të A-5, në funksion të përballimit të sfidave të përbashkëta të sigurisë duke u ndalur tek pandemia aktuale. Po ashtu, vëmendje iu kushtua edhe përpjekjeve për integrimin euro-atlantik të rajonit tonë.

Në ndërhyrjen e tij, Zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Sokol Dedja, ilustroi domosdoshmërinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal për përballimin e sfidave aktuale të sigurisë, si dhe domosdoshmërinë e ecurisë drejt integrimit të plotë Euroatlantik të rajonit. Zëvendësministri Dedja vuri gjithashtu theksin mbi domosdoshmërinë e anëtarësimit të Kosovës në A-5, duke argumentuar se kjo do të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal në përballimin e sfidave, si dhe në integrimin e plotë euro-atlantik të tij.

Për vitin e ardhshëm kryesia e kësaj nisme rajonale i kalon Kroacisë.