Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Më datë 11.10.2018, u mbajtën në Tiranë konsultimet mbi diplomacinë ekonomike mes Shqipërisë dhe Sllovenisë. Bisedimet për palën shqiptare u kryesuan nga Zëvendësministri z. Etjen Xhafaj ndërsa për palën sllovene nga Drejtoresha e Përgjithshme për Diplomacinë Ekonomike dhe Publike, znj. Alenka Suhadolnik.

Konsultimet u zhvilluan në një frymë shumë miqësore dhe me shkëmbime mendimesh për qasjet e diplomacisë ekonomike në të dyja vendet. Të dyja palët e vunë theksin tek rëndësia e diplomacisë ekonomike si një instrument i domosdoshëm koordinues, mbështetës dhe nxitës në funksion të rritjes së investimeve të huaja, rritjes së eksporteve, promovimit të brande-ve kombëtare si dhe gjetjes dhe diversifikimit të tregjeve të reja.

Si fushat më me prioritet ku të dyja palët ranë dakord për të orientuar bashkëpunimin në të ardhmen janë: energjia e qëndrueshme, menaxhimi i burimeve ujore dhe mbetjeve, turizmi dhe bujqësia. Pala sllovene përsëriti qëndrimin e palëkundur si mbështetëse e fortë e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe i ofroi ekspertizën e saj palës shqiptare për të aplikuar në programet e Bashkimit Evropian sidomos për kulturën, inovacionin dhe shkencën.