Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Në 2 mars 2020, u zhvilluan në Madrid, konsultimet diplomatike dypalëshe me Spanjën. Delegacioni shqiptar kryesoj nga Zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Sokol Dedja.

Çështjet që u diskutuan gjatë konsultimeve kishin të bënin me ecurinë e Shqipërisë në rrugën e BE dhe posaçërisht me hapjen e bisedimeve të anëtarësimit, çështje të bashkëpunimit dypalësh, bashkëpunimit rajonal dhe në kuadër të organizatave shumëpalëshe.

Zëvendësministri Dedja bëri një paraqitje të arritjeve madhore në reformat kyçe të procesit të integrimit. Të cilat po ashtu, sot, janë certifikuar nga raportimi i ndërmjetëm i Komisionit Evropian, që pasqyron arritje substanciale dhe përsërit rekomandimin për të hapur përnjëherë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë.

Pala spanjolle vlerësoi ecurinë e reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare, si dhe shprehu mbështetjen për ecurinë tonë në rrugën e BE-së bazuar në meritë dhe në plotësimin e kritereve të përcaktuara.

Nga palët u vlerësua bashkëpunimi dypalësh në fushën politike, ekonomike, konsullore dhe kulturore dhe u ra dakord të vazhdojnë kontaktet për t’i çuar këto marrëdhënie në një nivel tjetër më të lartë.

Pala spanjolle vlerësoi rolin e Shqipërisë si Kryetare e OSBE-së, si dhe rolin konstruktiv në bashkëpunimin rajonal mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.