Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Artemis Dralo gjatë dialogut në kuadrin e rishikimit universal periodik të Shqipërisë (UPR) theksoi se Shqipëria e konsideron Mekanizmin e Shqyrtimit Universal Periodik  UPR si një mundësi për të paraqitur progresin, vështirësitë dhe sfidat e gjendjes së të drejtave të njeriut dhe  zbatimin e rekomandimeve të ciklit të dytë të UPR. Përgatitja për këtë proces ka qenë një ushtrim i vlefshëm në marrjen në konsideratë se ku qëndrojmë në zbatimin e angazhimeve tona, në përfshirjen  e të drejtave të njeriut në politikat  kombëtare të zhvillimit, në ndjekjen dhe monitorimin  e progresit dhe identifikimin e fushave ku nevojitet të bëhet më shumë.

Shqipëria është plotësisht e angazhuar për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e njeriut dhe mbështet integrimin e dimensionit të të drejtave të njeriut në agjendën e Kombeve të Bashkuara. Si anëtare e Këshillit për të Drejtat e Njeriut për periudhën 2015-2017, Shqipëria ka kontribuar në mënyrë aktive në këtë forum të rëndësishëm dhe procesin e vendimmarrjes, duke përfshirë Rishikimin Periodik Universal UPR.

Delegacioni shqiptar informoi mbi masat e ndërmarra gjatë periudhës raportuese nga cikli i kaluar në vitin 2014, për të përmirësuar kuadrin ligjor, politikat dhe kuadrin institucional, në përputhje me konventat e të drejtave të njeriut dhe rekomandimet specifike të UPR-it. Mbrojtja e të drejtave të njeriut, me fokus të drejtat e grave, barazinë gjinore, dhunën në familje, luftën kundër korrupsionit, luftën kundër trafikimit, të drejtat e fëmijës, antidiskriminimin, pakicat kombëtare, të drejtat e grupeve vulnerabël te drejtat , politike, ekonomike, sociale, kulturore janë në thelb të prioriteteve të vendit drejt integrimit në BE dhe në përputhje me detyrimet ndërkombëtare. Shqipëria po ndërmerr hapa konkretë për të zbatuar reformën e drejtësisë që ka një ndikim të drejtpërdrejtë në forcimin e sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut, konsolidimit të demokracisë, zhvillimit të qëndrueshëm politik, ekonomik dhe social në vend.

Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut mbetet një prioritet i Qeverisë Shqiptare dhe institucionet shqiptare do të vazhdojnë të përmbushin detyrimet ndërkombëtare duke i dhënë përparësi zbatimit të kuadrit ligjor dhe politikave, rritjes së ndërgjegjësimit të publikut dhe  forcimit të bashkëpunimit ndërmjet të gjithë aktorëve.

Gjatë dialogut interaktiv, 68 shtete dhanë deklarata dhe paraqiten 197 rekomandime. Drafti i raportit do të miratohet më 10 maj 2019 gjatë Sesionit të 33-të të Grupit të Punës të UPR në kuadër të Këshillit të të  Drejtave të  Njeriut.