Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Në datat 5-6 shkurt 2019, me ftesë të Ministrit të Jashtëm Sllovak,  Miroslav Lajčák  në cilësinë e Kryetarit të Radhës së OSBE-së për vitin 2019, u mbajt në Bratislavë, Sllovaki,  Konferenca Ndërkombëtare mbi luftën kundër antisemitizmit në rajonin e OSBE-së, në të cilin mori pjesë një delegacion nga Shqipëria, i kryesuar nga Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Artemis Malo.

Konferenca e nivelit të lartë, e cila shënon aktivitetin e parë të këtij lloji të Kryesisë sllovake, ofroi një platformë për të zhvilluar më tej dialogun mbi sfidat aktuale dhe praktikat e mira lidhur me antisemitizmin, si dhe mbi mundësitë e përbashkëta të shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së për promovimin e tolerancës dhe mos diskriminimit. Gjithashtu, gjatë Konferencës u trajtua edhe roli i medias sociale në adresimin e manifestimeve antisemitizëm si dhe kontributi i programeve arsimore në luftën ndaj këtij fenomeni.

Nё fjalёn e saj pёrshёndetёse, Zëvendësministrja Malo, nënvizoi kontributin shqiptar pёr shpёtimin e hebrejve gjatё Luftës së Dytë Botërore, si mishërim i  modelit të shkëlqyer të bashkëjetesës fetare dhe të tolerancёs sё shoqёrisё nё Shqipёri.

Në vijim, ajo shprehu angazhimin e Shqipërisë, si pjesë e Trojkës së OSBE-së dhe Kryesi e ardhshme e Organizatës për vitin 2020, për të ofruar kontributin dhe mbështetjen e saj në identifikimin e një sërë masash për adresimin e manifestimeve të dhunshme antisemitizëm. Duke u ndalur në Kryesimin nga Shqipëria të Grupit të Kontaktit për Mesdheun përgjatë këtij viti, Zëvendësministrja Malo, nënvizoi se Shqipëria planifikon që një nga takimet tematike t’ia dedikojë mbështetjes së nismave të ndryshme të OSBE-së që synojnë promovimin e angazhimit të rinisë në aktivitetet e OSBE-së. Në këtë mënyrë, vijoi ajo, mundemi të kontribuojmë në luftën kundër antisemitizmit, intolerancës, ksenofobisë, racizmit, etj, duke krijuar një të ardhme më të sigurt për të gjithë.