Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Etjen Xhafaj, priti në takim një delegacion parlamentarësh polakë, të kryesuar nga  Ryszard Terlecki, Zëvendës Kryetar i Parlamentit dhe njëkohësisht Kryetar i Grupit parlamentar Poloni-Ballkan të krijuar së fundmi në Sejmin të Polonisë.

Fokusi i diskutimit ishte rëndësia e integrimit evropian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor si dhe roli i diplomacisë parlamentare, në kuadër të proceseve integruese rajonale.

Zëvendësministri Xhafaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Polonia i ka dhënë Shqipërisë  në proceset më të rëndësishme në të cilat ajo është angazhuar, si anëtarësimi në NATO dhe integrimi në Bashkimin Evropian ashtu dhe angazhimi konkret në kuadër të Procesit të Berlinit.

Në vijim, Zëvendësministri Xhafaj, siguroi mbi vullnetin e Qeverisë Shqiptare në drejtim të përmbushjes së pesë prioriteteve kyçe si edhe u shpreh se Shqipëria pret një vendim pozitiv për hapjen e  negociatave, pavarësisht situatës së pa precedentë politike të krijuar në vend.

Zëvendësministri Xhafaj vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira si në aspektin dypalësh, ashtu dhe atë shumëpalësh midis Shqipërisë dhe Polonisë si dhe shprehu gatishmërinë e palës shqiptare për të vijuar më tej bashkëpunimin në fushat e interesit të përbashkët.

Zëvendës Kryetari i Parlamentit Polak, Ryszard Terlecki, vlerësoi progresin e deritanishëm dhe nënvizoi se është e domosdoshme të vijojë puna e nisur për përmbushjen e detyrave, në kuadër të integrimit evropian të Shqipërisë si edhe siguroi për mbështetjen e ripërsëritur të Polonisë për procesin e zgjerimit të  Bashkimit Evropian në tërësi dhe integrimin e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në veçanti.