Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Zëvendës Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Agron Tare, mori pjesë në aktivitetin e organizuar më 20 nëntor 2020 nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së “30-Vjetori i Kartës së Parisit: Një Perspektivë Parlamentare”. Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të nivelit të lartë të vendeve pjesëmarrëse të OSBE-së, të organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile dhe botës akademike.

Në fjalën përshëndetëse Zv.Ministri Tare nënvizoi arritjet e rëndësishme historike të Kartës së Parisit, duke kulmuar me institucionalizimin e Procesit të Helsinkit dhe krijimin e Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë. Duke u ndalur në sfidat aktuale ndërkombëtare, z. Tare vuri në dukje përpjekjet që duhen bërë në drejtim të përmirësimit të drejtave të njeriut, zgjidhjes së konflikteve, si dhe përballimit të kërcënimeve ndërkombëtare.

Gjithashtu, Zëvendës Ministri Tare vuri në dukje angazhimin e Kryesisë Shqiptare të OSBE-së në funksion të rritjes dhe forcimit të rolit të Asamblesë Parlamentare të kësaj organizate në skenën politike ndërkombëtare.