Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Etjen Xhafaj, priti sot në një takim Zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Gjergj Dedaj.

Zëvëndësministrat diskutuan mbi intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh dhe realizimin e angazhimeve pas takimit të katërt të dy qeverive më 27-28 nëntor 2018 për konkretizimin e Partneritetit Strategjik.

Shqipëria do të vazhdojë  të mbështesë në mënyrë proaktive Kosovën në njohjet dhe anëtarësime të reja në nismat rajonale dhe institucionet ndërkombëtare. Komunikimi dhe bashkëpunimi mes dy MPJ-ve do të thellohet e do te jetë i rregullt dhe i vazhdueshëm. U vlerësua  shtrirja e mëtejshme e përfaqësive të përbashkëta diplomatike, duke synuar vënien në qendër të vëmendjes zhvillimin e diplomacisë ekonomike si një nevojë parësore për të dyja vendet dhe bashkëpunimin me diasporën.

Zëvendësministri Xhafaj nënvizoi nevojën e përfundimit të punës për hapjen e Zyrës së Doganës së Kosovës në Portin e Durrësit dhe zbatimin e marrëveshjeve dhe protokolleve lidhur me lehtësimin e shkëmbimeve tregtare dhe bashkëpunimin ekonomik.