Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Në kuadër të pjesëmarrjes në Sesionin e 41-të të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, zhvilloi një takim me Drejtoreshën e Përgjithshme të UNESCO-s, Audrey Azoulay.

Në këtë takim u shkëmbyen mendime mbi nevojën e një reforme të thellë institucionale të UNESCO-s, për një organizatë më të fortë, efiçente dhe moderne dhe vlerësim të rolit dhe kontributit Drejtoreshës Azoulay, në këtë kuadër.

Ministrja Xhaçka konfirmoi se Shqipëria mbështet reformat e ndërmarra nga UNESCO, për modernizimin dhe transformimin strategjik të saj, që synojnë përmbushjen, mbrojtjen dhe promovimin në mënyrë edhe më efektive të parimeve themelore të saj.

Në takim u fol për një bashkëpunim edhe më të ngushtë midis Shqipërisë dhe UNESCO-s dhe u evidentua mbështetja që Shqipëria i jep multilateralizmit, e konkretizuar kjo me angazhimet dhe kontributet e saj në fushën e kulturës, arsimit, dhe komunikimit.