Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka dhe ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca konfirmuan se Shqipëria i ka plotësuar kushtet për të nisur negociatat me BE.

Gjatë një takimi me studentë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomatë të rinj, organizuar në MEPJ, ministrja Xhaçka tha se vendi ynë, falë ndryshimit kolosal është shumë pranë ëndrrës evropiane.

“Shqipëria është ndoshta vendi që ka pësuar transformimin më të madh teksa përpiqet të ndërtojë Evropën brenda territorit të saj. Falë kësaj pune, ne jemi sot më pranë se kurrë realizimit të ëndrrës sonë evropiane. Shqipëria ka përmbushur çdo kusht e kërkesë për të mbajtur Konferencën e parë Ndërqeveritare dhe për të filluar negociatat e vërteta për anëtarësim, kapitull më kapitull, të cilat më shumë sesa thjesht negociata do të jenë një tjetër proces transformimi në mbyllje të të cilit ne do të dalim jo thjesht anëtarë të BE, por një vend realisht i standardeve të BE. Unë besoj që ky entuziazëm i shqiptarëve për Bashkimin Evropian, ky vullnet e dëshirë për të punuar pa u lodhur për të arritur këtë ëndërr, është sot shprehja më e mirë e asaj që përfaqëson dita e Evropës”, deklaroi ministrja gjatë fjalës së saj.

Sipas ambasadorit Soreca, institucionet e BE-së dhe Ministritë e Punëve të Jashtme duhet të vazhdojnë të mbajnë primare në axhendë diskutimet për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë plotësuar kushtet për hapjen e negociatave nga KE dhe të dyja këto vende e meritojnë të kenë një datë për Konferencën e Parë Ndërqeveritare dhe që të 27 vendet anëtare do ta marrin këtë vendim së bashku në qershor. Ne po sigurohemi që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të kalojnë në këtë proces së bashku. Kam përshtypjen se të gjitha vendet kanë arritur në një pikë që do të mund të kuptojnë, që ajo çfarë është kërkuar nga të dyja vendet është plotësuar. Pra unë jam optimist pragmatik që ky vendim do të merret së shpejti, në qershor”, tha ai.