Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, gjatë fjalës së saj në Kuvend theksoi se Programi IPA 2020, në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit IPA II, do të luajë një rol të rëndësishëm në avancimin e procesit të modernizimit dhe evropianizimit të vendit.

“Është një program që përbëhet nga 7 veprime, duke filluar nga demokracia dhe qeverisja, shteti i së drejtës dhe të drejtat themelore por edhe nga konkurueshmëria, inovacioni, bujqësia apo zhvillimi rural. Programi ofron një mbështetje domethënëse për këta sektorë, në shumën e 105 milionë 421 mijë e 991€, nga të cilat kontributi maksimal i Bashkimit Evropian arrin në 103 milionë €”, nënvizoi Ministrja Xhaçka.

Ajo veçoi 3 elementë si më të rëndësishëm të Paketës IPA 2020:

– Mbështetjen për reformë në Drejtësi, që i jep mundësi Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, të përmbushë mandatin kushtetues në procesin e vetingut;
– Kontributin në zbutjen e pasojave të pandemisë Covid-19;
– Aksesin e shtuar të Bashkive te kjo paketë, duke rritur numrin e projekteve dhe punës për qytetarët.

Në përfundim të fjalës së saj, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, kërkoi miratimin e kësaj marrëveshje, si një mbështetje e nevojshme financiare, që forcon bashkëpunimin dhe integrimin mes vendit tonë dhe BE.