Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, e cila ndodhet në Kosovë, ka zhvilluar një takim me Ministren për Punët e Jashtme dhe Diasporën të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz.

Ministrja Xhaçka përgëzoi qeverinë e Kosovës për arritjen e marrëveshjes me palën serbe për çështjen e targave, teksa theksoi se mbështetja e dialogut Kosovë-Serbi është primare për Shqipërinë, si një domosdoshmëri për gjithë rajonin.

“Izolimi që i është bërë Kosovës duke i mohuar liberalizimin e vizave është i padrejtë dhe i pakuptueshëm. Nuk ka asnjë justifikim për ta zvarritur më tej këtë çështje dhe për të mbajtur pezull këtë situatë absurde. Shqipëria do të bëjë gjithmonë çdo gjë që ka në dorë për të mbështetur Kosovën. Dhe jam e bindur që duke punuar ngushtë së bashku, ne mund të bëjmë shumë për të çuar përpara amanetin e atyre që 110 vjet më parë luftuan për t’ju dhënë shqiptarëve, kudo në rajon, një të ardhme më të mirë”, tha kryediplomatja shqiptare në konferencën e përbashkët për shtyp me homologen Gërvalla.

Ministrja Xhaçka u prit në takime të veçanta edhe nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Kjo vizitë zyrtare vjen në një moment të veçantë festues, përkujtimor dhe kuptimplotë, sepse përkon me 110 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.