Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Zv/Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Turqisë, Mevlut Cavusoglu, përgjatë vizitës zyrtare të Presidentit Recep Tayip Erdogan në Shqipëri,
nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit mes dy Ministrive të Jashtme, në fushën e Protokollit.

Ky memorandum do të rrisë në formë dhe në përmbajtje cilësinë e bashkëpunimit midis dy protokolleve të shtetit, mes shkëmbimit të eksperiencave, informacionit dhe trajnimeve.

Marrëveshja u nënshkrua në kuadër të shtatë marrëveshjeve që u nënshkruan përgjatë vizitës zyrtare të Presidentit Recep Tayip Erdogan në Shqipëri.

Marrëveshjet mes dy vendeve u nënshkruan në fushën e kulturës, të menaxhimit të emergjencave civile, diplomacisë, trajnimeve për zbatimin e ligjit, rinisë e arsimit, arkivave qendrore dhe agjencive telegrafike.

Vizita e Presidentit Erdogan dhe nënshkrimi i marrëveshjeve janë pasqyra më e mirë që dëshmojnë dialogun e shkëlqyer politik dhe marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve tona të cilët falë lidhjeve të thella historike, bashkëpunimit shumëplanësh, partneritetit të ngushtë në NATO, shkëmbimeve të përgjithshme dinamike, shtrihen në formën e dialogut strategjik.