Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Në kuadër të punimeve të Sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, u zhvillua sot edhe takimi i nivelit të lartë mbi, “Angazhimin dhe kontributin e çdokujt në ndërtimin e një jete më të mirë”. Kjo konferencë virtuale organizohet nga Aleanca për Multilateralizmin, pjesë e së cilës, që në themelim të saj, është edhe Shqipëria.

Në këtë konferencë të rëndësishme virtuale, ku u trajtuan një sërë çështjesh vitale për zhvillimet e sotme ndërkombëtare, morën pjesë shtetarë, zyrtarë të lartë qeverish nga vende të ndryshme të botës, anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Shqipëria u përfaqësua në këtë konferencë nga Zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Agron Tare.

Duke i’u referuar mbajtjes së këtij sesioni komemorativ, në kuadër të 75 vjetorit të krijimit të OKB-së si dhe angazhimit dhe kontributit që Shqipëria ka dhënë dhe jep në këtë organizatë universale gjatë 65 viteve të anëtarësimit të saj në të, në fjalën e tij z. Tare u ndal tek roli që luan multilateralizmi në përballjen e sfidave globale, ku kërkohet kontributi i të gjithëve. Duke besuar fort tek multilateralizmi, Shqipëria ka qenë dhe mbetet e angazhuar në zgjidhjen e problematikave rajonale e globale, me të cilat përballet sot bota, siç është aktualisht edhe lufta kundër Covid-19, një kërcënim eminent për mbarë njerëzimin. Gjithashtu, Shqipëria ka marrë përsipër përgjegjësitë e saj në ruajtjen dhe forcimin e paqes si dhe në një zhvillim të përgjithshëm, duke mos lënë askënd pas.

Zëvendësministri Tare theksoi se e motivuar nga kjo politikë globale, Shqipëria po drejton sot me sukses OSBE-në, ka vendosur kandidaturën e saj për t’u zgjedhur në Këshillin e Sigurimit për periudhën 2022-2023 dhe është pjesë e forumeve drejtuese të një sërë organizmash ndërkombëtarë.

Në vijim, zëvendësministri Tare u ndal edhe në angazhimin e Shqipërisë për të zbatuar sa më mirë dhe me efikasitet Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, një angazhim global ky i cili ka në qendër njeriun dhe zhvillimin e përgjithshëm, mbrojtjen nga ndryshimet klimaterike, me pasoja ekonomiko-sociale, në ruajtjen dhe forcimin e paqes dhe zhvillimit si dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ku Shqipëria është e angazhuar plotësisht e jep kontributin e saj të vlerësuar ndërkombëtarisht.