Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

E nderuar Karin, e nderuar Maria, të nderuar kolegë,

Kam nderin të mirëpres për herë të parë në Tiranë këtë takim rajonal mbi bashkëpunimin dhe mbështetjen reciproke në rrugën tonë drejt BE-së dhe të falënderoj Presidencën Austriake të BE-së për këtë iniciativë, GIZ-in dhe qeverinë gjermane për mbështetjen e tyre. Dëshiroj ta falënderoj Karinin dhe presidencën austriake për vëmendjen tuaj në perspektivën evropiane të rajonit tonë. Jam i lumtur që bashkë-kryesoj këtë konferencë me kolegen time Karin, prania e të cilës është një demonstrim i qartë i angazhimit të Austrisë në rajon.

Anëtarësimi në BE është përparësi politike kryesore për të gjitha vendet e rajonit. Megjithëse në faza të ndryshme të procesit të pranimit, ne përballemi me shumë sfida të përbashkëta. Përparimi i secilit prej nesh ndikon tek tjetri dhe në këtë kontekst e përshëndes votën e qytetarëve të Maqedonisë në mbështetje të marrëveshjes me Greqinë dhe shpreh shpresën time që ndryshimet kushtetuese në bazë të Marrëveshjes së Prespës, do t’i hapin rrugën fqinjit tonë të mirë drejt pranimit në NATO dhe BE. Në të njëjtën kohë, referendumi tregoi nevojën urgjente për të forcuar besueshmërinë e perspektivës evropiane dhe rrjedhimisht ndikimin e BE-së në rajonin tonë.

Në qershor të vitit të ardhshëm, të dyja vendet tona kanë një takim të rëndësishëm me perspektivën tonë evropiane dhe të ardhmen tonë.Në Shqipëri nuk po kursejmë asnjë përpjekje për ta përdorur këtë kohë, në mënyrë që qershori i ardhshëm ta gjejë vendin në një pozicion solid për sa i përket përmbushjes së detyrimeve që lidhen me këtë fazë të procesit të pranimit.Reforma e thellë dhe gjithëpërfshirëse e sistemit të drejtësisë ka shënuar një fillim të ri në procesin e reformës në tërësi, veçanërisht në fushën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe forcimit të të drejtave themelore. Paralelisht me diskutimet tona këtu, ekzistojnë dy diskutime të nivelit të lartë mbi fushat më të rëndësishme që lidhen me agjendën e reformave të BE-së: reformën në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.Ne besojmë se konsolidimi i sundimit të ligjit është një proces transformues i cili nuk përfshin vetëm institucionet, gjyqtarët dhe politikanët, por edhe shoqërinë në përgjithësi.Ne po përpiqemi të arrijmë një konsensus politik më të gjerë mbi integrimin në BE dhe të ndjekim agjendën e reformave me një frymë kompromisi. Rruga nuk është e lehtë, siç tregon qartë rezistenca ndaj reformës në drejtësi, por vendosmëria jonë mbetet e palëkundur.Në këtë kontekst, roli i të gjitha partive politike, Parlamentit dhe shoqërisë civile është i domosdoshëm. Arritja e konsensusit mbi perspektivën tonë evropiane është veçanërisht e rëndësishme në këto kohë kritike ku në të gjithë Evropën, e re dhe të vjetër, populizmi dhe nacionalizmi janë në rritje dhe forcat evropiane janë në rënie.Çdo mungesë e perspektivave të besueshme krijon një vakum që mund të plotësohet nga nacionalizmi populist, autoritarizmi apo politikat jo-liberale, të cilat shfrytëzojnë mungesën e perspektivës, pasigurive sociale dhe pabarazive ekonomike.

Është në interesin tonë dhe në interes të partnerëve tanë evropianë që kjo punë të udhëhiqet dhe monitorohet në kuadrin e standardeve të negociatave të pranimit.
• Në këtë kontekst, fillimi i procedurave të shqyrtimit “screening process” javën e kaluar, i jep një shtysë të re këtij procesi.
• Përmes një sërë takimesh shpjeguese deri në shtator 2019 për njohjen e legjislacionin të BE-së, do t’i bëjë kriteret që duhet të plotësohen më qartë dhe më konkretë.
• Përgatitja e Planeve të Veprimit bazuar në shqyrtimin dhe standardet do të çojë në përparimin e mëtejshëm të reformave në vend.
• Takimet shpjeguese me Komisionin do të na ndihmojnë të ecim përpara në këtë proces, në një mënyrë më të strukturuar.
• Në këtë fazë, ngritja e strukturave koordinuese për procesin e negociatave së bashku me përmbushjen e rekomandimeve nga konkluzionet e Këshillit në qershor, janë prioritet për axhendën tonë për muajt e ardhshëm.
• Në këtë proces, ne po punojmë ngushtë me disa vende të rajonit, si me shtetet anëtare dhe me vendeve në proces negociatash, me synim shmangien e gabimeve të tyre dhe përsëritjen e sukseseve të tyre në kuadrin tonë specifik institucional. Duhet të përsërisim edhe në nivelin politik ndërveprimin midis administratave tona publike, nëpunësve civilë dhe ekspertëve dhe të kemi sinergji më të fortë midis anës politike dhe teknike për të njëjtin proces transformues drejt BE-së.

Ne në rajon nuk kemi nevojë të konkurrojmë me njëri-tjetrin, as nuk kemi nevojë të krahasojmë me njëri-tjetrin: por duhet të krahasojmë veten me standardet e BE.
Ne jemi të vetëdijshëm se çdo vend lëviz me shpejtësinë e vet në udhën e tij drejt pranimit në BE, në përputhje me kapacitetin e saj, ritmin e reformave dhe qëndrueshmërinë në përmbushjen e angazhimeve të saj. Por procesi ka gjithashtu një dimension të rëndësishëm rajonal.Bashkëpunimi rajonal është një element thelbësor i procesit tonë të pranimit në BE. Shqipëria ka luajtur një rol thelbësor në formimin e bashkëpunimit rajonal përmes nismave të ndryshme, siç është hapja e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor në Tiranë dhe duke punuar ngushtë përmes platformave bilaterale G2G, me çdo vend fqinj në rajon për të përmirësuar ndër-lidhshmërinë.Gjatë viteve të fundit, ne kemi forcuar ndjeshëm bashkëpunimin tonë në lidhje me zhvillimin ekonomik dhe social, infrastrukturën, energjinë, drejtësinë, sigurinë, rininë dhe shoqërinë civile.Megjithatë, në lidhje me koordinimin dhe drejtimin e procesit të pranimit në BE, ka hapësirë për të përmirësuar kapacitetet e autoriteteve përkatëse për t’u angazhuar në aktivitetet rajonale të të mësuarit, si dhe për të zbatuar praktikat e mira nga rajoni në sistemet tona kombëtare respektive.Ne duhet të zotohemi të heqim të gjitha pengesat politike në mënyrë që të përmirësojmë ndër-lidhshmërinë, mobilitietin dhe standardet e jetesës për qytetarët tanë.

Besoj se ka hapësirë për forcimin e mëtejshëm të përpjekjeve tona të përbashkëta në komunikimin e arritjeve të rajonit tonë. Perceptimet e rajonit tonë janë shumë herë të njëanshme, njëzet vjet pas librit me titull “Ballkani Imagjinar”, i historianes bullgare Maria Todorova.
Ballkani mbetet në imagjinatën e Evropës si një vend i krimit dhe korrupsionit, me marrëdhënie ndëretnike dhe konflikte të përgjakshme që burojnë nga shekulli i 19-të. Siç ndodh me imazhet dominuese, ne në Ballkanin Perëndimor shpesh herë e kemi përvetësuar këtë imazh të vetes dhe sillemi në përputhje me atë imazh. Por është koha që ne ta ndryshojmë të gjithë këtë.
Ajo që po ndodh në vendet tona, diku më pak e diku më shumë, janë procese transformuese të reja dhe ndonjëherë edhe shumë të guximshme. Këtu kam parasysh reformën gjyqësore dhe përpjekjet e pamëshirshme për të krijuar një arkitekturë të re gjyqësore në vend.

Megjithatë, në mënyrë që perceptimet e rrënjosura të ndryshojnë, ne duhet ta komunikojmë më mirë progresin tonë. Në të njëjtën kohë, ne duhet tu komunikojmë qytetarëve tanë se çfarë përfshin procesi i integrimit në BE-së, çfarë i pret ata dhe çfarë përfitojnë: studentët, bizneset, fermerët, punëtorët, të gjithë qytetarët. Bashkëpunimi rajonal dhe përfshirja e shoqërisë civile në procesin e zgjerimit janë po aq të rëndësishme sa arritjet në terren. Cilësia e komunikimit tonë mund të bëjë një ndryshim të rëndësishëm.Është shumë e dobishme që të mësojmë nga përvoja e Kroacisë dhe Bullgarisë në këtë drejtim, por është po aq e rëndësishme që ne të krijojmë sinergji rajonale. Progresi i jashtëzakonshëm që kemi bërë në bashkëpunimin rajonal, falë perspektivës së anëtarësimit, dhe kontributi për stabilitetin në Evropë, do të komunikohen në mënyrë efektive nëse e bëjmë këtë së bashku. E njëjta gjë vlen edhe për kontributin tonë në stabilitetin evropian në lidhje me migracionin dhe luftën kundër terrorizmit.

Ky është takimi inaugurues i një bashkëpunimi të strukturuar midis vendeve tona në lidhje me pranimin në BE. Bashkëpunimi në nivel ekspertësh ka bërë progres përmes rrjeteve të zyrave të BE-së dhe MPJ-ve, të mbështetura nga GIZ, të cilëve u shpreh vlerësimin tim të sinqertë. Që tani e tutje, do të takohemi rregullisht në nivel ministror për të dhënë udhëzime politike për një bashkëpunim të fuqishëm midis institucioneve tona.

Faleminderit.