Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Gjatë takimit të Ministrit në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, Ministri i Punëve të Jashtme të Finlandës Timo Soini ka deklaruar se Finlanda mbështet hapjen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian të Shqipërisë.

Gjatë takimit, në Helsinki të Finlandës, ministri i Jashtëm Soini konfirmoi se vendi i tij do të përpiqet jo vetëm të jetë votues në favor të këtij vendimi, por edhe lobues pranë shteteve të tjera.

Ministri në Detyrë Gent Cakaj shprehu mirënjohje ndaj ministrit Soini për mbështetjen e vazhdueshme të Finlandës dhe tha se shpreson në vijimin e kësaj mbështetjeje edhe gjatë Presidencës së ardhshme të Bashkimit Evropian nga ana e Finlandës në korrik 2019.

Ministri finlandez Soini vlerësoi gjithashtu progresin e bërë deri tani në drejtim të plotësimit të prioriteteve kryesore dhe inkurajoi për vazhdimin e reformave në vend.

Dy ministrat, Cakaj dhe Soini, diskutuan gjithashtu për bashkëpunim të mëtejshëm dypalësh në kuadrin e politikës së jashtme dhe ekonomisë.

Më herët Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj zhvilloi një takim me përfaqësues të rëndësishëm të Organizatës për Politikat e Jashtme të Finlandës, Paasikivi. Takimi me kryetarin e organizatës dhe anëtarë të tjerë të saj, ku përfshihen ish-kryeministra, presidentë etj., u përqendrua në përparimin e Shqipërisë në integrimin evropian dhe zhvillimet në rajon.