Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Armand Skapi, përfaqësoi Shqipërinë në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të Vishegradit dhe Fondit të Ballkanit Perëndimor.

Skapi vlerësoi mbështetjen e Grupit të Vishegradit për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, teksa u shpreh besimplotë se këto negociata do të hapen gjatë presidencës sllovene.

“Vonimi i procesit të integrimit të vendeve të BP ndikon negativisht jo vetëm në rritjen e skepticizmit ndaj Evropës të shoqërive të këtyre vendeve, por dhe në cenimin e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit të vetë BE. Megjithatë, qeveria shqiptare do të vijojë e palëkundur thellimin e reformave në vend pasi ato i drejtohen së pari interesave të qytetarëve shqiptarë dhe jo vetëm angazhimeve në kuadrin e procesit të integrimit në BE”, u shpreh ai në fjalën e tij.

Gjithashtu, ai theksoi se diskutimet Kosovë – Serbi me mbështetjen e BE-së duhet të finalizohen me një marrëveshje për njohjen reciproke.