Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

UNESCO (Organizata Arsimore, Shkencore dhe Kulturore e Organizatës së Kombeve të Bashkuara) u krijua më 16 nëntor 1945. Misioni kryesor i UNESCO-s është të kontribuojë në ndërtimin e një kulture të paqes, çrrënjosjes së varfërisë, zhvillimin e qëndrueshëm dhe dialogun ndërkulturor përmes arsimit, shkencës, kulturës, komunikimit dhe informacionit. Motoja e organizatës është të shmangë luftën dhe të ndërtojë paqe në mendjen e njerëzve.

Që nga anëtarësimi i Shqipërisë në këtë organizatë, më 16 tetor 1958, fryma e bashkëpunimit ka qenë e vazhdueshme dhe e përqendruar në të katër fushat e veprimtarisë së Organizatës, përkatësisht arsim, shkencë, kulturë dhe komunikim. Marrëdhëniet me UNESCO-n janë karakterizuar gjithmonë nga një frymë bashkëpunuese, janë afatgjata dhe kanë rezultuar shumë të dobishme dhe produktive. Megjithë kufizimet dhe shtrëngesat e përcaktuara nga diktatura gjatë regjimit komunist, ndërveprimi me UNESCO-n ndihmoi në përpjekjet për të luftuar analfabetizmin dhe për ta nxjerrë vendin nga një prapambetje e thellë.

Pas ndryshimit të sistemit politik në Shqipëri, bashkëpunimi me organizatën ka inkurajuar arsimin cilësor, ruajtjen e trashëgimisë kulturore, edukimin e qytetarisë, lirinë e shprehjes, krijimin e funksionimin e shoqërisë civile dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Gjatë tre dhjetëvjeçarëve të fundit, në programme të ndryshme të UNESCO-s, janë përfshirë pasuri kulturore, mjedisore dhe shpirtërore me vlera universale të padiskutueshme.

Bashkëpunimi dhe ndërveprimi midis Shqipërisë dhe UNESCO është shumë-sektorial dhe në koherencë me përparësitë kombëtare të zhvillimit, në përmbushje të përpjekjeve të përbashkëta për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Në këtë kontekst, përparësitë e vendit, të pasqyruara në Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit Ekonomik dhe Social, dhe planet e veprimit që zbatohen në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, merren parasysh në ri-afirmimin e misioneve humanitare të arsimit, shkencës dhe kulturës.

Shqipëria është e pranishme në Listën e Trashëgimisë Botërore (1992), me Butrintin dhe Qendrën Historike të Gjirokastrës (2005) dhe me Beratin (2008), me Pyjet Antike të Rrajcës dhe Lumit Gashi (2017), me Iso – polifoninë (2005) në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, me Kodikët Purpurt të Beratit në Kujtesën e Listës Botërore (2005); Në Rezervat e Biosferës të Burimeve Njerëzore dhe Biosferës, Shqipëria ka regjistruar Prespën – Pellgun e Ohrit, si një rezervë ndërkufitare e biosferës (së bashku me Maqedoninë e Veriut).

Gjatë Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s, të mbajtur në nëntor 2017, Shqipëria u zgjodh për herë të tretë si anëtare e Bordit Ekzekutiv për mandatin 2017-2021, struktura më e lartë ekzekutive e organizatës.

Në të njëjtin vit, Shqipëria u zgjodh anëtare e Komitetit të Konventës 1970 mbi Trafikimin e Paligjshëm të Pasurive Kulturore dhe Kryetar i Komitetit për periudhën 2017-2018; Ajo u zgjodh Nënkryetare e Komitetit të Kulturës të Konferencës së Përgjithshme; Presidente e Komitetit të Posaçëm të Këshillit Ekzekutiv dhe e Byrosë së Këshillit Ekzekutiv.

Në vitin 2019, Shqipëria u bashkua me Maqedoninë e Veriut për të rregjistruar në Listën e Trashëgimisë Botërore pjesën e territorit të saj të Liqenit të Ohrit, si pjesë e “Trashëgimia Natyrore dhe Kulturore e Rajonit të Liqenit të Ohrit”.

Shqipëria është gjithashtu një anëtare e Grupit të Bashkuar të Miqve për Trashëgiminë, për barazinë gjinore, për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm përmes arsimit dhe sigurisë së gazetarëve.

Përgjatë viteve, Shqipëria dhe UNESCO kanë bashkëpunuar ngushtësisht në programe të ndryshme në fushën e arsimit, duke kontribuuar në zbatimin e politikave dhe projekteve kombëtare, përmes dokumenteve strategjike, ekspertizës dhe rekomandimeve në analizën e sistemit arsimor dhe përpunimin e planeve strategjike për zhvillimin e politikave për arsimin para-universitar dhe profesional. Arsimi mbetet një përparësi kryesore në axhendën e re globale të zhvillimit që po formohet nga bashkësia ndërkombëtare. Ndryshimi i klimës, mbrojtja e biodiversitetit dhe kërkesat në rritje për burime natyrore kërkojnë më shumë shkencë dhe më shumë shkencëtarë për të rritur aftësinë tonë për të vëzhguar dhe kuptuar planetin. Kultura, një forcë për dialog, kohezion social, rritje ekonomike dhe krijimtari, mbetet në zemër të misionit të UNESCO-s.

Shqipëria mbështet idenë se bota ka nevojë për UNESCO-n, për përvojën e saj, njohuritë e grumbulluara dhe ndihmesën e saj, përkundër populizmit, ndasive të çdo lloji dhe ruajtjen e shumëllojshmërisë kulturore dhe pasurimin, si një pjesë e rëndësishme e botës shumëpalëshe. Prandaj është thelbësore që, në këtë epokë të ndryshimeve të mëdha shoqërore dhe shtrëngesave në rritje, UNESCO dhe vendet përkatëse anëtare të investojnë në burime të rinovueshme, arsim, diversitet kulturor, kërkime shkencore – në energjinë e pakufishme të inteligjencës njerëzore – për të mundësuar dhe nxitur zhvillimin thelbësor për një të ardhme të drejtë dhe të qëndrueshme. Ky është edhe një nga angazhimet kryesore të Shqipërisë në UNESCO.