Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) është organizata më e madhe ndërkombëtare / ndërqeveritare në botë, me qëllim kryesor ruajtjen e paqes dhe sigurisë, zhvillimin e marrëdhënieve dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet kombeve, për zgjidhjen e problemeve ndërkombëtare ekonomike, sociale, kulturore ose humanitare, që siguron një forum ku vendet mblidhen për të përmbushur qëllimet dhe synimet e OKB-së. Ajo u themelua menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, më 24 tetor 1945, si një nismë e aleatëve të Luftës së Dytë Botërore, me synimin për të mundësuar dialogun midis vendeve të botës, për shkak të karakterit të saj unik ndërkombëtar dhe për të ndërmarrë veprime mbi çështjet me të cilat përballet njerëzimi.

Gjatë Luftës së Ftohtë, OKB-ja ka luajtur një rol të madh në reduktimin e konflikteve në një botë të polarizuar. Pavarësisht ndryshimeve të mëdha në botë, pas rënies së Murit të Berlinit dhe sfidave bashkëkohore me të cilat përballet bashkësia ndërkombëtare, OKB-ja ka qenë në gjendje të ruajë autoritetin e saj, mes vështirësive. Në një botë gjithnjë e më të fragmentuar, nevoja për një OKB më të fortë që përparon dhe shtyn përpara për multilateralizëm është më thelbësore se kurrë. Krizat e ndërlikuara si COVID-19 mund të parandalohen me sukses dhe / ose të adresohen vetëm duke punuar dhe ndërvepruar së bashku, bazuar në rregulla të qarta dhe të pranuara në përgjithësi. Ato kërkojnë një sistem shumëpalësh, të ringjallur e të bazuar në rregulla universale.

Përkujtimi i 75-vjetorit të OKB-së shënoi një moment unik për të riafirmuar angazhimin e OKB-së ndaj vlerave dhe parimeve të saj.

Padyshim që pranimi i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara më 14 dhjetor 1955 përbën një pikë referimi historike. Menjëherë pas anëtarësimit në OKB, Shqipëria mori pjesë aktive në punën e organeve të OKB-së dhe agjencive të specializuara.

Shqipëria ka misione të përhershme diplomatike në selinë e OKB-së në Nju Jork dhe zyrat e OKB-së në Gjenevë dhe Vjenë.

Gjatë anëtarësimit të saj në Kombet e Bashkuara, Shqipëria i ka kushtuar vëmendje të veçantë çështjeve që lidhen me ruajtjen e paqes dhe forcimit të sigurisë në mbarë botën, promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, lehtësimin e problemeve ekonomike dhe sociale, promovimin e mbrojtjes së shëndetit dhe mjedisit, forcimit të bashkëpunimin ndërkombëtar dhe promovimin e multilateralizmit.

Shqipëria ka mbështetur në mënyrë aktive përpjekjet paqeruajtëse të OKB-së. Ajo merr pjesë në disa operacione paqeruajtëse të OKB-së duke kontribuar me trupa, vëzhgues ushtarakë dhe policorë, si edhe duke kontribuar me fonde në buxhetin e operacioneve paqeruajtëse.

Veprimtaria e Shqipërisë në OKB është një element i rëndësishëm i veprimit tonë politik ndërkombëtar dhe shumëpalësh, në partneritet me miqtë dhe aleatët tanë strategjikë. Bashkëpunimi me OKB-në dhe agjencitë e saj ka qenë i gjerë dhe i suksesshëm në shumë fusha.

Shqipëria u zgjodh dy herë anëtare e ECOSOC për periudhën 2005-07 dhe periudhën 2013-15. Gjatë vitit 2013 Shqipëria ka kontribuar edhe në ECOSOC si Zëvendës President i Këshillit Ekonomik dhe Social.

Shqipëria është pjesë e vendit pilot “One UN” që po zbaton reformën e Kombeve të Bashkuara. Konferenca ndërkombëtare “Delivering as One”, e mbajtur në Tiranë nga 27-29 qershor 2012, vlerësoi përvojën e Shqipërisë në këtë drejtim.

Që nga janari 2011 Shqipëria është anëtare e Bordit Ekzekutiv të UN-HABITAT.

Shqipëria u zgjodh në prill 2011 në Bordin Ekzekutiv të UNICEF-it për mandatin 2012 – 2014 dhe në Bordin Ekzekutiv të UNEP për periudhën 2012-15.

Shqipëria ka përfunduar një mandat të suksesshëm në Këshillin e të Drejtave të Njeriut për periudhën 2015-2017. Shqipëria ishte anëtare e Komitetit të Statusit të Gruas (CSW) për periudhën 2016-2019.

Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen e Parisit për Ndryshimet Klimatike në 22 Prill 2016, e ratifikoi atë më 14 Korrik 2016 dhe depozitoi instrumentin e ratifikimit pranë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në shtator 2016, duke u bërë një nga 55 shtetet e para që ndërmorën këtë hap. Që prej nëntorit 2016, kjo marrëveshje është në fuqi për Shqipërinë.

Shqipëria është e angazhuar në zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, Axhenda 2030, dhe është ndër të paktat vende në botë, pjesë e programit pilot të OKB-së, për zbatimin e objektivit 16, i cili ka të bëjë me forcimin e institucioneve demokratike në vend, shteti i së drejtës, zhvillimi i një ekonomie të qëndrueshme tregu dhe respektimi i të drejtave të njeriut.

Shqipëria po punon për të bashkërenduar Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm me ato të Integrimit Evropian. Një nga objektivat e Shqipërisë është përmbushja e angazhimit të saj, në kuadër të rezolutës A/RES/70/1 “Transforming the World: Agenda 2030 for Sustainable Development”, për një prezantim vullnetar në forumet e OKB-së në korrik 2018.

Shqipëria, në statusin e anëtarit të Bordit Ekzekutiv të UNUD / UNFPA / UNOPS, ka qenë e fokusuar kryesisht në hartimin e Planit Strategjik 2018-2021 për këto agjenci. Përfaqësuesja e Shqipërisë në OKB mban postin e Zëvendës Presidentit të Bordit Ekzekutiv të Programit të OKB-së për Zhvillim, Fondit të Popullsisë dhe UNDP/UNOPS për vitin 2018, çka është dëshmi e angazhimit të vendit për një rol më aktiv në kuadër të agjencive të zhvillimit të OKB-së, në në veçanti, të zbatimit të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Gjatë vitit 2017, Shqipëria kandidoi dhe fitoi një mandat të dytë si anëtare e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s për periudhën 2017-2021.

Në qershor 2020, Shqipëria u zgjedh Zëvendës Presidente e Sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke marrë kështu edhe një vend në Komitetin e Konferencave për vitin 2021. Shqipëria (Përfaqësues i Përhershëm) nuk ka shërbyer si Zëvendës President i OKB-së që nga Sesioni i 50të i OKB-së në 1995. Kjo është hera e dytë, që Shqipëria merr një vend kaq të rëndësishëm në emër të Grupit të Evropës Lindore.

Shqipëria do të shërbejë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit për periudhën 2022-2023. Përpjekja e Shqipërisë për anëtarësim në organin më të rëndësishëm të OKB-së është një synim madhor i politikës së jashtme shqiptare dhe një dëshmi e përkushtimit tonë ndaj multilateralizmit. Si një anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit, duke filluar nga janari 2021, Shqipëria është e gatshme të ofrojë kontributin e saj në shërbim të paqes dhe sigurisë, të drejtave të njeriut dhe zhvillimit të qëndrueshëm ndërkombëtar.