Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Sot, Ministrat e Jashtëm të Shqipërisë, Kolumbisë, Danimarkës, Ishujve Marshall, Holandës dhe Ukrainës u mblodhën për të prezantuar Grupin e Miqësisë në Nju Jork, i përbërë nga shtete anëtare të OKB-së të angazhuara për të garantuar përgjegjshmërinë pas sulmit kundër Ukrainës.

Grupi është mbledhur me qëllimin për të mbrojtjur një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe me synimin për të kërkuar drejtësi për krimet që po kryhen në Ukrainë pas pushtimit rus.

SH.T. Z. Casten Nemra, Ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë i Republikës së Ishujve Marshall deklaroi:

“Kombet e Bashkuara u krijuan pikërisht për të parandaluar këto abuzime që po shohim sot, në kohë reale. Pra, sado i papërsosur, na takon të gjithë neve si Shtete Anëtare të sigurojmë që OKB-ja të funksionojë sipas mandatit për të adresuar këtë pushtim… Si një komb i vogël, ne varemi ngushtë nga kornizat efektive shumëpalëshe – sepse këtu kemi një zë të drejtpërdrejtë.”

Sh. S. Znj. Marta Lucía Ramírez, Ministrja e Punëve të Jashtme të Kolumbisë, deklaroi:

“Shkeljet e të drejtave të njeriut që shkaktojnë krime kundër njerëzimit, krimet e luftës apo aktet e gjenocidit nuk mund të mbeten të pandëshkuara, as ata që janë përgjegjës për to nuk mund të gjejnë paqe në tokë, sepse herët a vonë ata do të duhet të dalin përpara drejtësisë ndërkombëtare. Prandaj, Kolumbia beson se ne duhet njëzëri të bëjmë thirrje për një zgjidhje reale dhe të përdorim të gjithë mekanizmat e parashikuar nga ligji ndërkombëtar për të siguruar që përgjegjësit për këto krime të përballen me pasojat e veprimeve të tyre.”

Grupi, i cili do të punojë në Nju Jork dhe në Gjenevë, ofron një forum për shtetet anëtare të OKB-së për t’u angazhuar dhe promovuar sinergjitë përmes masave të ndryshme që kanë filluar të ndërmerren në nivel kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar për të siguruar llogaridhënien për Ukrainën. Sh.T.Z. Jeppe Kofod, Ministër i Punëve të Jashtme të Danimarkës, deklaroi:
“Ne nuk duam të jetojmë në një botë ku i fuqishmi ka të drejtë. Kur ne këmbëngulim për përgjegjësinë për krimet ndërkombëtare dhe shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut, ne këmbëngulim jo vetëm për drejtësinë për viktimat, por në mbrojtjen e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Sot, ne mblidhemi rreth nevojës për përgjegjësi për sulmet e tmerrshme ndaj civilëve në Ukrainë.”

Grupi i sapoformuar do të punojë për të siguruar që edhe shtetet e vogla, kapaciteti i të cilave për të ndjekur zhvillimin e masave të llogaridhënies mund të mos përputhet me rëndësinë që ata i kushtojnë kësaj çështjeje, të përfshihen dhe të angazhohen. Grupi, gjithashtu do të angazhohet në mënyrë aktive me përfaqësuesit e shoqërisë civile të përfshirë në mbledhjen e provave në Ukrainë.

Grupi i Miqësisë të Përgjegjshmërisë pas agresionit kundër Ukrainës nxjerr në pah rëndësinë e llogaridhënies si një mjet, për të parandaluar vuajtjet e mëtejshme të njerëzve dhe është thelbësore për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në Ukrainë.

Sh.T. Z. Wopke Hoekstra, Ministër i Punëve të Jashtme të Holandës, foli për rëndësinë e këtij grupi:

“Ne nuk mund të lejojmë që lufta në Ukrainë të vazhdojë. Ne nuk mund të lejojmë që krimet e kryera nga Rusia të mbeten pa u ndëshkuar. Ne nuk mund të lejojmë që bota të kthehet prapa. Si miq të vërtetë të drejtësisë, si besimtarë të vërtetë në drejtësi, ne duhet të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të kërkuar dhe mbrojtur atë që është kaq e dashur për të gjithë ne.”
SH. S. Znj. Olta Xhaçka, Ministre për Evropë dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, theksoi se:
“Sulmet e paligjshme nga forcat e armatosura ruse ndaj objekteve civile, duke përfshirë shkollat, jetimoret dhe spitalet, siç ishte rasti i maternitetit në Mariupol, dhe numri në rritje i viktimave civile, duke përfshirë gratë, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe fëmijët nuk mund të tolerohet. Rusia duhet të hetohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Ukrainë dhe ligji ndërkombëtar duhet të mbizotërojë”.

SH. T. Z. Sergiy Kyslytsya, Përfaqësuesi i Përhershëm i Ukrainës në Kombet e Bashkuara, theksoi rëndësinë e krijimit të Grupit:

“Unë besoj se ky grup i miqve do të jetë në gjendje të plotësojë procedurat ekzistuese ndërkombëtare për krime të ndryshme lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera gjatë agresionit rus kundër Ukrainës, të cilat janë duke u zhvilluar në institucione të ndryshme gjyqësore ndërkombëtare, duke zbuluar dhe hartuar procese të reja llogaridhënieje. dhe nisma për mbledhjen e provave për hir të rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla.”