Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Është mbajtur sot ceremonia e vendosjes së flamurit shqiptar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në kuadër të marrjes së mandatit si anëtare e përkohshme në Këshillin e Sigurimit për periudhën 2022-2023.

Përfaqësuesi i Përhershëm i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha, u shpreh se Shqipëria është e vendosur të luajë një rol aktiv dhe konstruktiv, duke përcjellë vlerat dhe parimet e saj në punën e Këshillit.

“Shqipëria do të bashkojë përpjekjet me të gjithë ata që synojnë ta bëjnë Këshillin më efikas, më të përgjegjshëm, më transparent dhe më ndërveprues. Shqipëria beson në multilateralizmin, të drejtën ndërkombëtare dhe në një sistem shumëpalësh të fortë të bazuar në rregulla dhe vlera, si gurthemeli i sigurisë botërore. Ne vijmë këtu me besimin dhe vendosmërinë e fortë se Këshilli duhet të bëjë më shumë; të ndërmarrë veprime më të forta dhe të mbështesë ata në nevojë në çdo cep të botës”, tha ambasadori Hoxha gjatë fjalës së tij.

Shqipëria është zgjedhur për herë të parë anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për periudhën kohore 2022-2023.

Duke filluar nga 1 janari 2022, Shqipëria për dy vjet rresht do të jetë në një nga pesëmbëdhjetë ulëset e organit të OKB për menaxhimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.