Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe United Nations Association Albania (UNA Albania), kanë nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit, në  kuadër të Programit të  Delegatëve Rinorë të Shqipërisë në OKB. MEPJ, përfaqësohej nga Zëvendësministrja, Artemis Malo dhe UNA nga Presidenti i saj, Kristi Çina.

Programi i Delegatëve Rinorë synon të rrisë dhe të inkurajojë pjesëmarrjen e të rinjve shqiptarë në procesin e vendimmarrjes në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, duke përfshirë çdo vit dy të rinj shqiptarë në delegacionin kombëtar të Republikës së Shqipërisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Këta të rinj do të përfaqësojnë zërin e rinisë, do të promovojnë nismat dhe idetë e të rinjve shqiptarë në arenën më të madhe të vendimmarrjes globale dhe do të lidhin ura bashkëpunimi me të rinj të tjerë nga e gjithë bota. Programi bazohet në parimet e përfaqësimit, fuqizimit dhe përfshirjes së të rinjve edhe mbi besimin në potencialin e rinisë shqiptare si faktor kryesor në ndryshimin dhe zhvillimin e vendit.

UNA Albania dhe MEPJ do të bashkëpunojnë  ngushtë  përgjatë  gjithë  fazës së  programit, që  nga momenti i përzgjedhjes së  delegatëve, në  trajnimin dhe mbështetjen e përgatitjes së  tyre, duke u ofruar edhe një  stazh pranë  ketij institucioni.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të Memorandumit, Zëvendësministrja Malo theksoi se, “Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme mbetet e hapur dhe e dedikuar për promovimin e të rinjve dhe përfshirjen e tyre në  vendimmarrje, duke i dhënë mbështetje të plotë kësaj nisme.

Z.Çina deklaroi se ky program është një mundësi për të kontribuar në krijimin e modeleve të shoqërisë civile, për të rritur pjesëmarrjen e rinisë në trupat politikë ndërkombëtarë si dhe për të krijuar një mekanizëm për të tejçuar zërin dhe idetë e rinisë. Në bashkëpunim me MEPJ, Ambasadën e SHBA-ve në Shqipëri dhe WFUNA, UNA Albania synon të rrisë rolin e të rinjve në promovimin dhe arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Palët nënshkruese theksuan rëndësinë e këtij bashkëpunimi i cili e bën Shqipërinë vendin e dytë që implementon këtë program nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke i dhënë mundësinë për të shërbyer si përhapës i këtij mekanizmi dhe ne vendet e tjera, në kuadër të bashkëpunimit rajonal dhe aspiratave të përbashkëta evropiane.

Thirrjet për aplikime janë  të  hapura deri më  16 mars 2019.

Për më  shumë  informacion mund të  klikoni adresën e web-it: unyouthdelegate.al