Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, mori pjesë në eventin lançues të Projektit të Përbashkët Rajonal, BE – Fondi i Ballkanit Perëndimor.

Ministrja Xhaçka tregoi mbështetjen e saj ndaj Fondit të Ballkanit Perëndimor, duke e cilësuar atë si një instrument të rëndësishëm që synon promovimin e bashkëpunimit rajonal.

“Do të isha shumë e lumtur ta shihja Fondin e Ballkanit Perëndimor të rritet edhe më tej dhe të merrte mbi vete një rol edhe më ambicioz. Sepse ajo që po bën ky instrument është investimi në bashkëpunim real, në lidhje reale të shoqërisë civile, në marrëdhënie reale njerëzore. Janë lidhje si këto, ato që i bashkojnë vërtet vendet. Kjo është arsyeja pse Fondi ka në mua një mbështetëse të vendosur, sepse unë besoj në misionin e tij dhe besoj në metodën e tij. Çdo partneritet, çdo miqësi, çdo ide apo projekt i suksesshëm që Fondi ndihmon të zërë rrënjë në mesin e shqiptarëve dhe kosovarëve, malazezëve dhe boshnjakëve, maqedonasve të veriut dhe serbëve, është një kontribut për një rajon më të mirë, më të qëndrueshëm, më paqësor dhe më të begatë”, u shpreh ministrja gjatë fjalës së saj.

Në fund të fjalës, kryediplomatja nënvizoi se BE duhet të fokusohet në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe ta mbështesë atë njësoj siç po mbështet FBP.