Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Me rastin e vizitës së ministres së Jashtme të Austrisë Znj. Karin Kneissl dhe në kuadër të vitit kulturor Austri-Shqipëri 2018, u zhvillua në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme ceremonia e prezantimit të librit, “Të rizbulojmë të përbashkëtat: e shkuara dhe e tashmja e marrëdhënieve Austri-Shqipëri në kaleidoskop“. Në këtë aktivitet merrnin pjesë përveç dy ministrave të jashtëm, Bushati dhe Kneissl, ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro, autorë dhe artistë që kanë kontribuar për këtë antologji si dhe personalitete të tjera nga fushat e artit, kulturës, politikës, etj.

Në fjalën përshëndetëse, ministri Bushati theksoi lidhjen e hershme politike, kulturore dhe ekonomike që ka ekzistuar mes dy vendeve, por që sipas tij, shpesh herë është anashkaluar si pasojë e politikës së ditës. Nisma të tilla mund të nxjerrin në pah se lidhjet e së shkuarës janë të gjalla dhe mund të shërbejnë si një bazë e shëndoshë për minimizimin e ndasive. Kjo nismë, sipas ministrit Bushati, shërben edhe si promotor i Diasporës shqiptare në Austri, e cila jo thjesht është e mirëintegruar, por përgjatë dekadave ka prodhuar artistë shumë të rëndësishëm në vendin pritës.

Ministrja Kumbaro, në fjalën e saj e identifikoi kulturën, si një nocion që na bashkon, si një nocion pa kufi, që ka ekzistuar përpara kufijve dhe përpara shteteve. Sipas ministres, ky aktivitet na dha mundësi për të kuptuar sesi forma të ndryshme të artit përmblidhen për të na ardhur në formën e një pasaporte e cila shihet sot në promovimin diplomatik. Shkrimtarja Luljeta Lleshanaku përshkroi në fjalën e saj historinë e hershme të marrëdhënieve ndërmjet vendit tonë dhe Austrisë, duke i përshkruar këto marrëdhënie, si një ndikim i fortë ndërmjet kulturave që nuk duket, që nuk preket, që nuk përshkruhet dot me fjalë por që rrënjoset thellë dhe që reziston gjatë.

Ministrja Austriake, në fjalën e saj përshëndetëse, vlerësoi Ministrinë dhe të gjithë aktorët që bënë të mundur këtë aktivitet. Ajo shtoi se njeh shumë mirë punën e shkrimtarëve shqiptarë dhe nënvizoi se të ndash historinë e vendit me të tjerët do të thotë të jesh pjesë e Evropës.

Organizimi i këtij aktiviteti, veçanërisht në kuadër të proceseve integruese të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, synon forcimin e bashkëpunimit të ngushtë kulturor dhe shkencor mes dy vendeve me qëllim forcimin e lidhjeve kulturore shqiptaro-austriake dhe intensifikimin ndërkulturor. Promovimi i librit u shoqërua edhe me ekspozitën e artistes Jutta Benzenberg “Austrians by heart”.