Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Në kuadër të Presidencës shqiptare të Këshillit të Sigurimit, Kryeministri Edi Rama pjesë e delegacionit shqiptar të kryesuar nga Presidenti Bajram Begaj, drejtoi Debatin e Hapur të Nivelit të Lartë të KS mbi Ukrainën.

Kryeministri Rama theksoi se e drejta e vetos e ka dobësuar fuqinë e Këshillit të Sigurimit, teksa i bëri thirrje shteteve anëtare të OKB që të jenë më të qartë lidhur me rastin e agresionit në Ukrainë.

“Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e saj, që të ngrihet e të qëndrojë për paqen, zhvillimin e përparimin. Të qëndrojë përkrah dhe me Ukrainën. Ne kemi detyrën të ndihmojmë Ukrainën dhe do të ishte fyerje për inteligjencën e kësaj organizate nëse nuk arrijmë të themi me zë të lartë se kush është agresori dhe kush është i agresuari. Është i njëjti dallim i mprehtë midis luftës dhe paqes”, tha ai.

Në cilësinë e Presidentit të KS, kryeministri shqiptar iu përgjigj replikave të ambasadorit rus lidhur me praninë e presidentit të Ukrainës në sallë, duke u shprehur se vetë subjekti për të cilin po diskutohet i jep mundësi këshillit të dëgjojnë presidentin Zelenskyy.

“Ky nuk është një operacion special nga presidenca shqiptare dhe kjo është sipas rregullave të këshillit e precedentëve të mëparshëm. Ky leksion nga ju për thyerje rregullash në këtë godinë është impresiv. Ju ndaloni luftën dhe Zelenksy s’ka pse flet. Ne do të vijojmë me sesionin”, deklaroi ai.

Në Debatin e Hapur me temë “Respektimi i qëllimeve dhe i parimeve të Kartës së OKB-së nëpërmjet multilateralizmit: Ruajtja e paqes dhe sigurisë së Ukrainës” mori pjesë edhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, si dhe rreth 50 krerë shtetesh e qeverish.