Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton shtetasit shqiptarë në Poloni se për shkak të situatës aktuale me COVID-19, autoritetet polake kanë informuar se më 31 mars 2020, hyri në fuqi një akt ligjor në lidhje me COVID-19, ku ndër të tjera parashikon zgjidhje të veçanta për të huajt që ndodhen aktualisht në Poloni me vizë, leje qëndrim ose udhëtim pa viza.

Akti ligjor lejon shtetasit e huaj të qëndrojnë legalisht në Poloni, nëse nuk munden të largohen nga vendi për shkak të përhapjes së virusit. Akti përcakton se deri në fund të ditës së 30-të pas datës së anulimit të një prej kushteve speciale, lejohet zgjatja për:

– qëndrimin e ligjshëm të të huajve në bazë të vizave dhe lejeve të përkohshme të qëndrimit që do të përfundonin gjatë periudhës së gjendjes së emergjencës;
– afatin e paraqitjes së aplikimeve për leje qëndrimi, zgjatje të vizave dhe zgjatje të qëndrimit për udhëtime pa viza;
– vlefshmërinë e lejeve të lëshuara tashmë për punë, leje pune sezonale dhe deklarata të besimit të punës për një të huaj.

Për më tepër, për të njëjtën periudhë, do të shtyhen afatet:

– për largimin e të huajve nga Polonia;
– për kthimin vullnetar, sikurse përcaktuar në vendimin e detyruar të të huajve për kthim.

Informacione të hollësishme për aspektet teknike dhe juridike të çështjeve të lartpërmendura janë publikuar edhe në faqen e web-it të Zyrës për të Huajt: https://udsc.gov.pl/en/coronavirus-outbreak-special-solutions-for-foreigners/.

Ministria e Jashtme e Polonisë gjithashtu kujton se, shtetasit e huaj, të cilëve u skadon viza ose karta e qëndrimit, mund të paraqesin kërkesat për zgjatjen e afatit pranë institucioneve kompetente (Voivod) në secilin qytet ku po qëndron shtetasi i huaji. Kërkesat duhet të paraqiten jo më vonë se në datën e skadimit të qëndrimit të tyre të ligjshëm në territorin polak, e cila në bazë të ligjit të sipërpërmendur është caktuar maksimalisht 30 ditë pas datës së anulimit të gjendjes së emergjencës.