Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Sot, më datë 20.05.2021, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) përfaqësuar nga Sekretari i Përgjithshëm për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Armand Skapi dhe United Nations Association Albania, përfaqësuar nga presidenti i saj, z. Kristi Çina, nënshkruan Memorandumin e Bashkëpunimit në kuadër të Programit të Delegatëve Rinorë të Shqipërisë në OKB (Programi i Delegatëve Rinorë).

Programi i Delegatëve Rinorë është një iniciativë që synon të rrisë dhe të inkurajojë pjesëmarrjen e të rinjve shqiptarë në proçeset e vendimmarrjes në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Çdo vit, dy të rinj shqiptarë përzgjidhen për t’iu bashkuar delegacionit kombëtar të Republikës së Shqipërisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, për të përfaqësuar zërin e të rinjve shqiptarë në nivel ndërkombëtar, për të krijuar dhe forcuar marrëdhëniet e bashkëpunimit me përfaqësues të tjerë rinorë nga e gjithë bota, dhe për të kontribuar në mënyrë aktive në politikat për të rinjtë.

Bazuar në parimet e përfaqësimit, fuqizimit dhe përfshirjes së të rinjve, si dhe në potencialin e rinisë shqiptare në zhvillimin e vendit, promovimin e paqes dhe sigurisë, dhe arritjes së Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, ky program ofron mundësinë e forcimit të dialogut midis të rinjve në arenën ndërkombëtare, si dhe krijimin e një mekanizmi për tejçimin e ideve të tyre.

Bashkëpunimi midis UNA Albania dhe MEPJ do të jetë i ngushtë përgjatë gjithë programit, duke filluar nga momenti i përzgjedhjes, si dhe në trajnimin e delegatëve rinorë nëpërmjet një stazhi dy mujor pranë MEPJ, për të tretin vit radhazi.

Në bashkëpunim të ngushtë me MEPJ, Ambasadën e SHBA-ve në Shqipëri dhe zyrën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, UNA Albania synon të rrisë kontributin e të rinjve në vendimmarrje, rolin e tyre në demokraci dhe për një të ardhme të qëndrueshme, duke i dhënë mundësinë brezit të tretë të të rinjve shqiptarë të ndërmarrin këtë mision të rëndësishëm.

Palët nënshkruese theksuan edhe njëherë rëndësinë e këtij bashkëpunimi për një vend të vogël si Shqipëria, për rritjen e bashkëpunimit rajonal, paqes dhe sigurisë. Thirrja për aplikime do të hapet së shpejti.