Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Nënkomiteti i Stabilizim Asocimit BE – Shqipëri mbi Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë mbajti takimin e tij të dhjetë në datat 11 – 12 korrik, në Tiranë. Takimi u bashkë-kryesua nga znj. Michela Matuella, Drejtuese e Njësisë për Shqipërinë në Drejtorinë e Përgjithshme të çështjeve të Fqinjësisë dhe Zgjerimit, në Komisionin Evropian (DG Near) për palën e BE, si dhe nga z. Gent Cakaj, Zëvendës Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, për palën shqiptare.

Takimi siguroi një dialog të frytshëm dhe konstruktiv mbi një gamë të gjerë çështjesh, përfshi funksionimin e sistemit gjyqësor, politikat anti-korrupsion, të drejtat themelore, azilin dhe migracionin, menaxhimin e kufinjve dhe politikat e vizave, luftën ndaj krimit të organizuar dhe terrorizmit, luftën ndaj pastrimit të parave, sistemin policor dhe bashkëpunimin gjyqësor.

Autoritetet shqiptare ofruan një panoramë të zhvillimeve të fundit, rezultateve të arritura dhe masave të planifikuara në fushën e sundimit të ligjit. Komisioni mirëpriti progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë gjatë vitit të shkuar dhe ritheksoi se vijimi me zbatimin e reformës në drejtësi është thelbësor për forcimin e sundimit të ligjit në vend. Komisioni gjithashtu mirëpriti rezultatet e arritura deri më tani në luftën ndaj kultivimit të kanabisit dhe inkurajoi autoritetet të vijojnë me përpjekjet për të ndaluar trafikimin e lëndëve narkotike nga grupet e organizuara kriminale.

Komisioni Evropian dhe autoritetet shqiptare u dakordësuan mbi rëndësinë që ka për vendin vijimi dhe intensifikimi i përpjekjeve në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, në veçanti sa i përket luftës ndaj fenomenit të pastrimit të parave dhe konfiskimit të aseteve, si dhe trajtimi i çështjes së financimit të terrorizmit. Autoritetet shqiptare duhet që shpejt dhe me efikasitet të zbatojnë rekomandimet e raportit Moneyval mbi luftën ndaj fenomenit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Përpjekje të mëtejshme nevojiten drejt krijimit të një rekordi solid të hetimeve, ndjekjeve penale dhe denimeve në rastet e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Komisioni Evropian konstatoi një numër hapash të ndërmarrë nga Shqipëria në muajt e fundit për të trajtuar aplikimet e pabazuara për azil në vendet anëtare të BE, të cilat kanë kontribuar efektivisht në uljen e numrit të këtyre aplikimeve. Komisioni kërkoi vijimin me këto përpjekje dhe nxiti Shqipërinë të trajtojë me prioritet këtë çështje të rëndësishme.

Në fushën e të drejtave themelore, mes çështjeve të tjera me rëndësi, Komisioni ftoi Shqipërinë të përshkallëzojë përpjekjet në lidhje me përfshirjen e grupeve vulnerabël, inkurajoi Shqipërinë të finalizojë legjislacionin dytësor të nevojshëm për të siguaruar zbatim të plotë të ligjit për minoritetet dhe theksoi rëndësinë që ka për Shqipërinë përmbushja e procesit të regjistrimit të pasurive dhe ndjekja me më shumë prioritet e zbatimit e të drejtave të pronësisë, megjithëse vihet re progres i dukshëm në përmirësimin e kuadrit ligjor për regjistrimin, shpronësimin dhe kompensimin e pronave.

Komisioni, duke rikujtuar Konkluzionet e Këshillit të qershorit 2018, të cilat përcaktuan rrugën që duhet ndjekur drejt hapjes së negociatave të anëtarësimit në qershor 2019, përsëriti gadishmërinë për të filluar punën e nevojshme përgatitore e cila do të ketë në fokus çështjet e sundimit të ligjit.