Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Në nderim të viktimave dhe të prekurve nga tërmetet në Turqi dhe Siri, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme së bashku me përfaqësitë diplomatike të RSH-së në mbarë botën kanë ulur flamujt në gjysmështizë, në shenjë respekti dhe solidariteti.

Shqipëria kujton me mirënjohje ndihmën e ofruar nga populli dhe qeveria e Turqisë gjatë tërmetit të 26 nëntorit 2019, teksa 13 shkurti është shpallur ditë zie kombëtare në vend. Prej disa ditësh tashmë, një skuadër prej 80 efektivësh të FA, mjekë dhe ekspertë të kërkim – shpëtimit i janë bashkuar operacionit humanitar në Turqi.

Mijëra persona kanë humbur jetën si pasojë e kësaj tragjedie. Fatmirësisht, deri më tani nuk raportohen viktima me nënshtetësi shqiptare. Ambasada dhe Konsullata e Republikës së Shqipërisë në Turqi mbeten në kontakt të vijueshëm me autoritetet turke ndërkohë që janë ndihmuar familjet për t’u lidhur me të afërmit e tyre në Shqipëri e Turqi, si dhe për lehtësimin e transportit të tyre nga zonat e tragjedisë.

Pak ditë më parë, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, nënshkroi librin e ngushëllimeve për tragjedinë e ndodhur në Turqi në ambasadën turke në Tiranë, duke theksuar se ndihma e Shqipërisë ndaj Turqisë do të vijojë edhe në ditët e ardhshme.