Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Z. Kryetar, i nderuar Daniel,

Z. Sekretar i Përgjithshëm,

Të nderuar kolegë,

Zonja dhe Zotërinj,

 

Faleminderit Daniel për mikpritjen e sotme dhe urime për ju dhe ekipin tuaj mbi punën e frytshme gjatë Kryesisë bullgare. Njëkohësisht, dëshiroj t’i uroj suksese Kryesisë së ardhshme të Estonisë.

Gjej rastin të falënderoj gjithashtu Sekretarin e Përgjithshëm për prezantimin e raportit të tretë mbi gjendjen e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në Evropë.

Për fat të keq, viti i kaluar u shënjua sërish nga sulme terroriste në të gjithë Evropën, në Paris, Bruksel e Turqi, nga një krizë migratore e paprecedentë dhe ndër të tjera, një rritje e populizmit dhe ekstremizmit. Këshilli i Evropës luan një rol të rëndësishëm këtu dhe vendimet që do të miratohen sot përbëjnë një kontribut në trajtimin e këtyre çështjeve.

Protokolli Shtesë për Luftëtarët e Huaj, mbi të cilin kemi rënë dakord vitin e kaluar gjatë Ministerialit në Bruksel do të jetë një mjet kyç në luftimin e këtij fenomeni.

Megjithatë, jemi të vetëdijshëm se kjo nuk mjafton. Trajtimi i shkaqeve kryesore dhe parandalimi është kyç në planin afatgjatë.

Ne po investojmë në shkolla dhe programe arsimore me qëllim që ​​t’i sigurojmë fëmijëve dhe rinisë sonë njohuritë e duhura për t’u përballur me urrejtjen dhe diskriminimin. Në këtë kontekst, do të na shërbejë pikërisht “Kuadri i Kompetencave për Kulturë Demokratike”, lançuar nga Konferenca e Ministrave të Arsimit të Këshillit të Evropës.

Më lejoni t’i referohem njërës prej shtyllave të Raportit të Sekretarit të Përgjithshëm – pavarësisë dhe paanshmërisë së gjyqësorit.

Shqipëria është përfshirë në një reformë të thellë, të plotë dhe gjithëpërfshirëse të sistemit të drejtësisë, përmes procesit të konsultimit me Komisionin e Venecias. Opinioni i tij ka sugjeruar një sërë rekomandimesh për ekspertët e angazhuar me hartimin e saj.

Kjo reformë do të transformojë sistemin në tërësi, duke e bërë të përgjegjshëm e të pavarur. Ajo kërkon një angazhim serioz dhe kompromis nga të gjitha palët politike në vend, dhe miratimi i saj përbën një condicio sine qua non drejt hapit të ardhshëm të Shqipërisë në agjendën e anëtarësimit të BE-së.

 

Të nderuar kolegë,

Një nga çështjet më të ngutshme me të cilat përballet aktualisht Evropa është kriza e refugjatëve dhe efekti i saj zinxhir në të gjithë kontinentin.

Mënyra sesi jemi përballur kolektivisht me krizën e refugjatëve në fakt ka hedhur dritë mbi një paradoks: nga njëra anë, angazhimi ynë ndaj vlerave të lirisë dhe solidaritetit dhe nga ana tjetër, shumëfishimi i politikave gjithnjë e më pak liberale që kanë mjegulluar debatin politik në të gjithë kontinentin.

Ky instinkt i natyrshëm i mbylljes në vetvete na bën më të vegjël e më të dobët. Populizmi nuk është përgjigjja, dhe Evropa e di mirë këtë.

Në përfundim, më lejoni të prek një çështje e cila besoj se është mjaft e rëndësishme për sigurinë demokratike të Evropës Juglindore.

Gjatë viteve të fundit, Këshilli i Evropës ka luajtur një rol të rëndësishëm ndaj Kosovës, duke e ndihmuar të ankorohet në “bashkësinë e vlerave” evropiane.

Ndërhyrjet e sotme dëshmuan se qëllimi ynë mbetet ende sigurimi që të gjithë qytetarët evropianë, pa përjashtim, të gëzojnë standardet e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit, që janë të mishëruar dhe ruajtur nga sistemi ynë i Konventave.

Për këtë arsye, sa më shpejt Kosova t’i bashkohet Këshillit të Evropës, aq më parë njerëzit e saj mund të gëzojnë mbrojtjen e sistemit të Konventave. Mbajtja larg e Kosovës e privon atë dhe popullin e saj nga mbështetja vendimtare që kjo Organizatë mund të japë në forcimin e sigurisë demokratike.

Faleminderit!