Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Sot, nën kujdesin e Ministrit të Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati, u organizua ceremonia për Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit. Në këtë aktivitet morën pjesë Kryeministri Rama, Zëvendëskryeministri Niko Peleshi, disa ministra të kabinetit qeveritar, përfaqësues të Trupit  Diplomatik të akredituar në Tiranë, deputetë, përfaqësues të bashkësive fetare dhe shoqërisë civile, si dhe pjesëtarë të familjeve të mbijetuara gjatë holokaustit.

Gjatë kësaj ceremonie përkujtimore, e cila u moderua nga gazetarja Ilva Tare, e morën fjalën Ministri Bushati,  i Ngarkuari me Punë i Ambasadës së Izraelit në Tiranë z. Avraham Lev-Louis, studiuesi Shaban Sinani si dhe znj. Marlena Dojaka, pjesëtare e një prej familjeve të mbijetuara.

Në fjalën e tij, Ministri Bushati u shpreh:

Zonja dhe zotërinj,

Ju falënderoj të gjithëve që jeni sot këtu për të rijetuar së bashku në pak çaste një krim unik në historinë e njerëzimit, Holokaustin.

Në vitet e errëta të Luftës së Dytë Botërore, në mes të njerëzimit sheh një grup njerëzish që pësojnë një vdekje familjare, kolektive, etnike. Në mes të njerëzimit sheh një copë njerëzimi të pastrehë. Makina e vdekjes ishte shtetërore, vdekja shënjestronte etnikisht, ndërsa indiferenca punonte kolektivisht.

Shimon Peres me të drejtë thotë se : “vitet pas Holokaustit janë më shumë biografi se histori “.

Duhet meditim intensiv për ta ndjerë sadopak dramën e Hebrenjve. Duhet po kaq meditim për ta kuptuar si tragjedi të njerëzimit. Sepse, në fund të fundit, paaftësia për ta menduar thellë këtë dramë është tragjedia e njerëzimit.

Me Holokaustin rrjedha normale e së drejtës vdiq. Një sekuencë e re filloi. Të cilën, Shimon Peres e përcakton si, sekuenca e biografisë dhe jo më e historisë.

Çdo njeri është i thirrur në njerëzim si personazh. Këtu qëndron dhe kriza aktuale. Është njeriu i vogël, që kthehet në hallkë të procedurave anti-njerëzore, ai që do të na e bëjë të pamundur të flasim për njeriun sërish. Ashtu siç gjejmë viktimën hebreje në dhomën e gazit, ashtu gjejmë dhe hallkën e krimit në një dhomë ose zyrë.

Primo Levi dhe fundi i tij janë hapja e pashoqe e një ndërgjegje. Çdo njeri në çdo cep të botës ishte prekur nga faji, qoftë ky edhe faji i padijes. Kjo është ndërgjegjja e pafundme që hap ky krim për njerëzimin.
Holokausti është një krim unik, por jo i vetëm. Sa më shumë ta kujtojmë atë, aq më shumë duhet të jemi vigjilente për krime të ngjashme.

Spastrimi etnik dhe politikat gjenocidiale në Bosnje e Kosovë gjatë viteve‚ 90 janë vetëm dy prej dëshmive se, disa dekada pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Evropa ende nuk kishte nxjerrë mësimet e duhura.

Ajo tragjedi në fakt nuk ka arritur t’i bëjë katharsis ndërgjegjes njerëzore. Sikurse politika e mureve ndarëse vijon të na kujtojë se rajoni ynë – pavarësisht progresit të padiskutueshëm ndër vite – ende nuk ka arritur pikën e moskthimit dhe ankorimit përfundimtar në rrjedhat Evropiane.

Kujtimi i atyre që humbën jetën nuk qëndron thjesht si simbol për të kujtuar, por si thirrje për ndjeshmëri dhe vigjilencë të rrallë, për një njerëzim që nuk është më i shpërndarë. Sepse, që prej Aushvitcit ka vetëm një njerëzim.

Zonja dhe zotërinj,

Ndjehem i përkëdhelur nga fati që i përkas një populli që u gjend në vendin e duhur të vlerësimit të jetës. Toleranca, bujaria, besa dhe vlerat e rrënjosura prej shekujsh në doket shqiptare na shtynë t’i qëndrojmë ballas jetës së tjetrit dhe t’i gjejmë një strehë, sipas parimit të njohur: “Shtëpia e shqiptarit, asht shtëpia e Zotit dhe e mikut”.

Dëshmi e plotë e kësaj sjellje fisnike është fakti se çdo shqiptar, grek, jugosllav, austriak dhe gjerman hebre që gjendej në territorin e Shqipërisë i mbijetoi Holokaustit.

Si asnjë prej vendeve të pushtuara, në Shqipëri u dhjetëfishua komuniteti hebre gjatë periudhës së Luftës.

Më 1987 Gavra Mandili i drejtohej me një letër Yad Vashemit, ku ndër të tjera i shkruante: “Në ato kohëra të vështira (të Holokaustit), populli Shqiptar e zbuloi vetveten në lavdinë dhe madhështinë e tij të plotë. Nuk pati asnjë familje hebraike që nuk gjeti ndihmë tek popullsia shqiptare vendase. Asnjë hebre nuk mbeti pa mbrojtjen e një Shqiptari…

Në shumë raste fshehja e hebrenjve përbënte rrezik me vdekje dhe kërkonte një vetë sakrifikim kolosal! Familja jonë e përbërë nga katër persona dhe një familje tjetër hebraike nga tre persona, u shpëtuan falë strehimit që gjetëm në shtëpinë e familjes Veseli, në Krujë.

Në ato ditë të errëta kur jeta hebraike në Evropë nuk kishte rëndësi të madhe, shqiptarët i mbrojtën hebrenjtë me dashuri, dedikim dhe sakrificë ”.

Në 1988, Yad Vashemi i akordoi familjes Veseli, titullin “Të drejtë midis Kombeve”.
Familja Veseli, si një nga shumë familje shqiptare që strehuan hebrenj, është dëshmi e qartë e aktit human të Shqiptarëve gjatë Holokaustit.

Është ky akt thellësisht demokratik që na shtyn të besojmë se e keqja nuk mund të triumfojë.
Sepse përmes këtij akti sublim rikonfirmohen ato vlera njerëzore universale që sot përbëjnë bazamentin e shtet-ndërtimit demokratik.

Zonja dhe Zotërinj,

Sot, bashkë me ne në këtë aktivitet përkujtimor janë edhe familjarë të Shqiptarëve Hebrenjve që i mbijetuan Holokaustit. Prania e tyre na nderon, duke na kujtuar që tolerancën dhe bujarinë e kultivuar në kohë të vështira duhet ta kthejmë në një energji shtet-ndërtuese.

Ministria e Punëve të Jashtme, si pjesë e një rrjeti global dëshiron të qëndrojë në lartësinë e kësaj detyre, duke kthyer këtë aktivitet në një praktikë të rregullt që jetëson formulën: “duke kujtuar të tjerët, kujtojmë vetveten”.

100 vjet pas fillimit të Luftës së Parë Botërore, që nisi pikërisht në këtë rajon, lipset të tregojmë, si Evropianë të vërtetë, se kemi mësuar nga e kaluara.

Respektimi i të drejtave të njeriut, respekti i ndërsjellë, pavarësisht origjinës etnike, fetare dhe gjithë përfshirja, duhet të qëndrojnë në themelet e jetës sonë.

Këto vlera, ndaj të cilave Evropa 100 vjet më parë, ishte e verbër, duhen ruajtur dhe mëkuar duke treguar vigjilencë dhe kurajë.

Për ta vazhduar kësisoj këtë sipërmarrje, gjenerata e re duhet të shihet si shpresë e madhe. Mos të harrojmë se teksa mendojmë për fëmijët tanë, një milion e gjysmë fëmijë humbën jetën gjatë Holokaustit.

Shumë të tjerë, dekada më vonë, humbën jetën këtu pranë nesh në Bosnje dhe Kosovë.

Mënyra më e mirë për t’i nderuar ata, është nëpërmjet edukimit të fëmijëve tanë për mësimet e së kaluarës dhe për sfidat e njerëzimit në të ardhmen. Që të punojmë së bashku, pa reshtur, për një botë më të mirë, për Tikkun Olam (repairing the world).

Ju faleminderit!