Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Me rastin e Ditës së Flamurit, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka uruar të gjithë shqiptarët duke shpërndarë një video në rrjetet sociale.

Në video renditen disa nga arritjet më të mëdha të Shqipërisë ndër vite si: anëtarësimi në NATO, kryesimi i OSBE-së, sigurimi i një vendi jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara etj.

“109 vjet pavarësi! Gëzuar ditën e Flamurit Shqipëri”, shkruan ministrja përkrah videos.

Një urim me rastin e 109-vjetorit, ka ardhur edhe nga Sekretari i Shtetit i SHBA-ve, Antony J. Blinken.

Në një deklaratë për shtyp, Blinken theksoi se SHBA mbetet e përkushtuar për të mbështetur institucionet demokratike të Shqipërisë, reformat në drejtësi dhe ekonomi, si dhe të ardhmen në Bashkimin Evropian.

Më 28 nëntor të vitit 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin shqiptar në Vlorë duke shpallur pavarësinë e shtetit shqiptar.