Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka zhvilluar një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Finlandës, Pekka Haavisto.

Ministrja Xhaçka shprehu mirënjohjen për asistencën e vazhdueshme të Finlandës në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së, teksa theksoi mbështetjen e palëkundur të vendit tonë për anëtarësimin e Finlandës në NATO.

Kryediplomatja shqiptare u shpreh besimplotë se anëtarësimi i Finlandës në NATO do të forcojë stabilitetin dhe sigurinë në rajonin baltik dhe në Evropën veriore.

Gjithashtu, dy ministrat ranë dakord për forcimin e agjendës shumëpalëshe në fusha të ndryshme me interes të përbashkët.

Ky është takimi i dytë mes Ministres Xhaçka dhe Ministrit Haavisto për këtë vit, pas atij gjatë samitit të NATO-s në Madrid.