Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, zhvilloi një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Đorde Radulović.

Ministrja Xhaçka theksoi se pjesë thelbësore e diskutimit me homologun Radulovic ishte zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara në G2G 1, për hapjen e pikave të reja kufitare, rritjen e investimeve dhe projekteve në zonat ndërkufitare.

“Ne jemi krenarë që shqiptarët në Malin e Zi dhe minoriteti malazez në vendin tonë kanë luajtur në vijimësi rolin e një elementi përbashkues. Rritja e investimeve malazeze në zonat e banuara nga popullsi shqiptare, rritja e përfaqësimit të shqiptarëve në pushtetin qendror dhe lokal, do të shërbenin në forcimin e besimit reciprok mes qytetarit dhe qeverisë dhe mes etnive të ndryshme”, tha ministrja Xhaçka në deklaratën për mediat pas takimit.

Nga ana tjetër, Ministri Radulovic deklaroi se Mali i Zi është i gatshëm për të dhënë asistencë teknike nëpërmjet ekspertëve, sipas axhendës evropiane.

“Qeveria e Malit të Zi dëshiron ta ngrejë partneritetin me Shqipërinë në një nivel më të lartë. Nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit mes Akademive tona diplomatike, do të bëjë të mundur edhe bashkëpunimin e mëtejshëm të personelit diplomatik të dy vendeve”, u shpreh Ministri Radulović, në deklaratën për mediat.

Ministrja Xhaçka dhe Ministri Radulović nënshkruan Memorandumin e Bashkëpunimit mes Akademive diplomatike të dy ministrive, i cili sipas tyre do të konkretizojë rritjen e bashkëpunimit, jo vetëm mes Ministrive të Jashtme, por edhe mes vetë diplomatëve.