Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Në kuadër të pjesëmarrjes në Sesionin e 41-të të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, zhvilloi një takim me Sekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane të Francës, Clément Beaune.

Në këtë takim u shkëmbyen mendime për një bashkëpunimin më të ngushtë dypalësh, për t’i dhënë këtyre marrëdhënieve një dimension të ri, shumë më ambicioz, qoftë në shkëmbimet ekonomike, politike, kulturore, por edhe në kuadër të proceseve integruese, posaçërisht atij të integrimit evropian të Shqipërisë.

“Një takim shumë i mirë me Clément Beaune, Sekretarin Francez për Çështjet Evropiane. Shkëmbim i hapur dhe i sinqertë për të ardhmen e BE-së, Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor dhe sfidat me të cilat përballemi. Mirënjohës për mbështetjen e Francës ndaj rajonit tonë. Të hapur ndaj një angazhimi dhe bashkëpunimi më të madh në të ardhmen”, shkroi Ministrja Xhaçka në rrjetet sociale pas takimit.

Të dyja vendet janë zotuar të punojnë së bashku edhe më ngushtë për realizimin e axhendës Evropiane dhe të reformave të Shqipërisë, forcimin e bashkëpunimit në NATO dhe shumë shpejt edhe përmes Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, pasi Shqipëria fillon mandatin e saj dyvjeçar në janar 2022.