Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, priti në një takim Nënkryetaren e Këshillit të Ministrave dhe Ministren e Punëve të Jashtme të Bosnje dhe Hercegovinës, Bisera Turković, e cila zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë.

Takimi u fokusua në bashkëpunimin dypalësh dhe nevojën për thellimin dhe forcimin e mëtejshëm të tyre, veçanërisht nëpërmjet eksplorimit të mundësive për lidhje të reja ekonomike dhe tregtare.

Ministrja Xhaçka dhe homologia Turković shprehën angazhimin e tyre në mbështetjen e integrimit të dy komuniteteve respektive që jetojnë në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Shqipëri, duke theksuar se ata mbeten një urë e sigurtë për fuqizimin e miqësisë midis dy vendeve.

Gjithashtu, Kryediplomatja Xhaçka shprehu mbështetjen e plotë të vendit tonë për tërësinë territoriale dhe sovranitetin e Bosnje dhe Hercegovinës, si dhe përparimin e saj drejt integrimin euro-atlantik.

“Duke mirëkuptuar specifikat e veçanta të situatës së Bosnje Hercegovinës, i kërkova Ministres Turković që të shqyrtojnë mundësinë për të gjetur zgjidhje konkrete për disa nga problematikat që lidhen me Kosovën, siç janë nevoja për njohjen e dokumenteve apo nevoja për lehtësimin e procedurave të vizave. E bindur që nga këto zgjidhje do të përfitojë i gjithë rajoni, por edhe vetë Bosnje Herzegonia duke nxitur shkëmbimet e tregtinë.”, tha Ministrja Xhaçka.