Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, priti në aeroportin e Rinasit dy avionët e tjerë me 154 qytetarë afganë që mbërritën në Shqipëri.
Përmes një postimi në Twitter, Xhaçka shprehet se falë bujarisë së shqiptarëve, qytetarët afganë i shpëtuan një fati të tmerrshëm në vendin e tyre dhe iu dha mundësia për të filluar një jetë të re.
“Mbërritën në Rinas edhe 154 qytetarë afganë, burra, gra, fëmijë. Njerëz të traumatizuar nga lufta, çdonjëri një jetë e shpëtuar nga një fat i tmerrshëm në vendin e tyre, që falë bujarisë së shqiptarëve fillojnë sot një jetë të re. Krenare!”, shkruan ministrja në postimin e saj.
Në pritjen e tyre mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama dhe ambasadorja e SHBA, Yuri Kim.
Të ardhurit gjatë natës së djeshme janë akomoduar në Tiranë. Në total, numri i qytetarëve afganë të mbërritur në Shqipëri në 48 orët e fundit është 275.