Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Mirëmbrëma,

Kur po bëhen afërsisht tre muaj që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, ende vazhdojmë të shohim raporte për granatime me objektiva civilët, infrastrukturën civile dhe mjediset urbane, duke shkaktuar dëme maksimale.

Miliona refugjatë tashmë janë larguar, ndërkohë që një numër edhe më i madh i personave të zhvendosur brenda Ukrainës, po trondisin vendin dhe të gjithë rajonin.

Nga imazhet e njerëzve të ekzekutuar në mënyrë të kobshme në Bucha, deri te mbetjet e teatrit të bombarduar të Mariupolit ku humbën jetën qindra refugjatë civilë, apo varret masive të zbuluara rreth Kievit, lufta e zgjedhur e Rusisë ka shkaktuar vuajtje të pamasë mbi popullatën civile.

Një numër i lartë vendesh janë radhitur në mbështetje të Ukrainës, duke ndihmuar me pajisje ushtarake që të mbrohet; përmes ndihmës humanitare ose duke hapur shtëpitë e tyre për të pritur mirëpritur refugjatët nga Ukraina. Por ka edhe një mbështetje tjetër të rëndësishme të një natyre tjetër, mbështetja politike për Ukrainën në arenën ndërkombëtare.

Përballë këtij agresioni të paprecedentë të shoqëruar nga makineria ruse e propagandës dhe gënjeshtrës, që synojnë të shtrembërojnë realitetin në terren si dhe të japin një narrativë të rreme për luftën e tyre të pajustifikueshme, ne duhet të flasim, të vazhdojmë të themi të vërtetën dhe të mobilizojmë dhe rrisim mbështetjen për mbledhjen dhe dokumentimin e fakteve mbi mizoritë e kryera në Ukrainë.

Autorët e këtyre krimeve duhet të jenë përgjegjës dhe duhen mbajtur si të tillë. Ne, na inkurajon uniteti i qëllimit, që po shfaqet, në lidhje me dokumentimin e krimeve të kryera në Ukrainë. Të gjithë biem dakord sesa e rëndësishme është të sigurohet, që kushdo që është përgjegjës për mizoritë në Ukrainë, të mbahet përgjegjës në përputhje me sundimin e ligjit.

Ky është qëllimi kryesor i këtij takimi informal, të organizuar nga Shqipëria dhe Franca, në bashkëpunim me Ukrainën.

Ky takim do të bëjë bashkë Shtetet Anëtare dhe aktorët kryesorë të përfshirë në dokumentimin e krimeve të kryera në Ukrainë, për të identifikuar se si mund të mbështeten dhe koordinohen përpjekje të tilla, në mënyrë që të sigurohet hetimi dhe ndjekja efektive e atyre që janë përgjegjës për mizoritë.

Dëshiroj të përgëzoj dhe shpreh vlerësimin maksimal për gazetarinë e pavarur investigative, për profesionalizmin e treguar dhe punën e vështirë dhe sfiduese në terren, duke vënë në rrezik edhe jetën e tyre për të thënë të vërtetën, për të treguar historinë e kësaj lufte të pakuptimtë. Ishin fotot dhe raportet e tmerrshme që dolën nga rrethinat afër Kievit, që shkaktuan neveri globale si prova e parë e asaj që përbën një dhunë sistematike të përhapur kundër civilëve, tipike për krimet mizore.

Është thelbësore që të gjitha krimet e tilla të dokumentohen plotësisht dhe të përdoren përfundimisht në një gjykatë. Kjo ngjarje po mobilizion të gjitha përpjekjet e nevojshme, duke përfshirë Gjykatën Penale Ndërkombëtare, Komisionin e Pavarur Ndërkombëtar të Hetimit për Ukrainën, Shoqërinë Civile dhe Grupin e Miqësisë për Llogaridhënien/Përgjegjshmërinë në Ukrainë, për të siguruar shpërndarjen efektive të njohurive nëpërmjet mekanizmave të llogaridhënies, shtetet anëtare të OKB-së, të cilët angazhohen përmes ndjekjeve penale kombëtare në shtetet me juridiksion universal mbi krimet mizore ose juridiksion mbi krimet e agresorit, si dhe shoqërinë civile.

Drejtësia dhe llogaridhënia duhet të mbizotërojnë, për Ukrainën dhe ukrainasit, por edhe për të gjithë komunitetin ndërkombëtar, në mënyrë që të rivendoset besimi te multilateralizmi dhe ligji ndërkombëtar, që u ‘shkatërruan’ nga lufta e vetë zgjedhur e Rusisë.

​Faleminderit!