Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, mori pjesë në takimin e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, ku foli mbi ecurinë e procesit të integrimit.

Ministrja Xhaçka theksoi se arritjet e vendit tonë janë pranuar në mënyrë unanime nga 27 vende të BE dhe se Shqipëria vijon të mbetet një dëm kolateral i mosmarrëveshjes Bullgari-RMV.

“Qeveria shqiptare ka vazhduar me përkushtim dhe dedikim zbatimin e programit ambicioz të reformave gjithëpërfshirëse, duke përmbushur të gjitha kërkesat nga Këshilli për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare. Kjo do të thotë se i kemi kryer të gjitha “detyrat e shtëpisë” në reformën zgjedhore, reformën në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reformat në lidhje me respektimin e të drejtave dhe lirive themelore, etj. Kushtet janë plotësuar dhe kjo u pranua dhe u vlerësua nga raporti i Komisionit, në tetor 2021, dhe po ashtu nga të gjitha vendet anëtare. Në këtë mënyrë, e kemi dëshmuar veten si një partner i besueshëm i BE-së”, u shpreh ministrja Xhaçka.

Kryediplomatja shqiptare nënvizoi se Shqipëria do vazhdojë t’i ofrojë mbështetjen e saj të plotë BE-së, edhe përgjatë mandatit si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për periudhën 2022-2023.